Një makinë luksoze e llojit “BMW M8” është zbuluar në Tiranë, pasi ishte denoncuar e vjedhur në Gjermani. Ajo ishte trafikuar nga një shtetas shqiptar i Kosovës dhe ishte shitur në vendin tonë, kur është zbuluar se ishte e vjedhur.
Si rezultat i punës hetimore, të kryer në kuadër të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze, të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme konstatuan një tjetër rast në këtë fushë.
Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua 1 automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140.000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.
Në lidhje me këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi që dyshohet se ka sjellë automjetin në Shqipëri, me qëllim shitjen, F. H., 42 vjeç (shtetas kosovar), si dhe u procedua penalisht blerësi i automjetit shtetasi E. D., 39 vjeç.
Shtetasi E.D, ka qenë edhe drejtues i automjetit në momentin e ndalimit, ndërkohë që nga ana e autoriteteve po punohet për kapjen e personit që e trafikoi nga Gjermania dhe e shiti në Shqipëri si makinë të pastër.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.










