Një shtetas grek është vënë në pranga mëngjesin e sotëm në Kapshticë, pasi u pikas me drogë në makinë.
Arrestimi i tij është realizuar në sajë të bashkëpunimit mes Drejtorisë Vendore e Policisë Korçë dhe Policisë Kufitare dhe Migracionit.
Paraprakisht mësohet se shtetasi grek u arrestua në përpjekje për të kaluar drejt Greqisë me afro 30 kilogramë kanabis të fshehur në makinën e tij.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se droga ishte fshehur në një hapësirë të modifikuar në mjet, në mënyrë që të shmangte kontrollin kufitar. Ndërsa dyshohet se lënda narkotike është siguruar në territorin shqiptar dhe kishte si destinacion tregun grek.
Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, policia ka ndërhyrë menjëherë duke bërë të mundur zbulimin e drogës dhe arrestimin e autorit.
Sakaq bëhet me dije se autoritet ndodhen në teren duke vijuar me zbardhjen e plotë të ngjarjes e për të zbuluar nëse ka pasur persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë aktivitet.











