Pakistani po përgatitet delegacionet iraniane dhe amerikane për bisedime ditën e sotme, por pjesëmarrja e delegacionit iranian mbetet e paqartë pas sulmeve të fundit izraelite në Liban, të cilat kanë rrezikuar armëpushimin në rajon.
Sipas raportimeve, sulmet kanë shkaktuar mbi 300 viktima, duke u konsideruar ndër më vdekjeprurëset që nga nisja e konfliktit në fund të shkurtit. Këto zhvillime kanë rritur tensionet dhe kanë vënë në pikëpyetje vazhdimin e dialogut diplomatik.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, i cilësoi bisedimet si “të pakuptimta” në kushtet aktuale, duke theksuar se nuk mund të ketë negociata reale pa respektimin e armëpushimit.
Ndërkohë, një zëdhënës i diplomacisë iraniane deklaroi se vazhdimi i negociatave varet nga përmbushja e angazhimeve të SHBA-së për armëpushim në të gjitha frontet, veçanërisht në Liban.
Pakistani, që po luan rolin e ndërmjetësit, ka theksuar se armëpushimi duhet të zbatohet kudo, përfshirë edhe Libanin. Megjithatë, kjo qasje nuk duket se mbështetet plotësisht nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Ndërkohë, në Islamabad janë marrë masa të rrepta sigurie.
Autoritetet kanë shpallur pushim dyditor dhe kanë kufizuar lëvizjen, në pritje të delegacioneve.
Delegacioni amerikan pritet të drejtohet nga zëvendëspresidenti JD Vance, i shoqëruar nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Pavarësisht tensioneve, presidenti amerikan është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje, megjithëse ka pranuar se ekzistojnë ende dallime të mëdha mes palëve.











