Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin australian, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se liderët e Rusisë dhe Ukrainës “urrejnë njëri-tjetrin”, duke e karakterizuar zgjidhjen e konfliktit si të vështirë, por jo të pamundur.
“Rusia dhe Ukraina janë fronti i fundit që duhet të zgjidhet. Mendoj se do ia dalim, por është jashtëzakonisht e vështirë, sepse kemi të bëjmë me dy liderë që e urrejnë njëri-tjetrin,” tha Trump.
Ai theksoi se tensioni personal mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut ukrainas Volodymyr Zelensky është “mbi gjithçka tjetër”, gjë që sipas tij e bën edhe më të ndërlikuar rrugën drejt një marrëveshjeje paqeje.
“Ky antagonizëm i hapur e bën situatën shumë më të ndërlikuar,” shtoi Trump.
Sa i përket mundësisë që Ukraina të fitojë luftën, presidenti amerikan u shpreh skeptik, por nuk e përjashtoi plotësisht.
“Nuk besoj se do të fitojnë, por në një luftë mund të ndodhin shumë gjëra,” tha ai, duke shtuar: “Nuk kam thënë kurrë se do të fitojnë, por kam thënë se mund të fitojnë.”
Në përmbyllje, Trump e përshkroi luftën si një “gjë shumë e çuditshme”, ku ndodhin shumë tragjedi dhe zhvillime të paparashikueshme.











