Në këto vite, ndër sukseset më të mëdha të tij janë gjashtë titujt e Premier League dhe Champions League e fituar me klubin anglez.
Mesfushori portugez Bernardo Silva, që luan për Manchester City, do të largohet nga klubi në fund të sezonit, kur t’i përfundojë kontrata aktuale. 31-vjeçari ka kaluar nëntë sezone te Manchester City, duke fituar gjashtë tituj të Premier League dhe një trofe të Champions League, mes shumë të tjerëve.
Lajmi u konfirmua nga ndihmësi i Pep Guardiola, Pep Lijnders, i cili foli për mediat pas fitores ndaj Liverpool në çerekfinalet e FA Cup. “Ai është një lojtar unik që nuk mund ta zëvendësosh, sepse nuk ka askush tjetër si ai”, tha holandezi. “Çdo histori e bukur ka një fund dhe shpresoj që ai t’i shijojë këta muajt e fundit dhe të ketë një lamtumirë të bukur në këto gjashtë javët e fundit.”
Lojtari portugez mbërriti te Manchester City në verën e vitit 2017 nga Monaco për 50 milionë euro dhe u bë një nga figurat kryesore të sukseseve të fundit të City më të mirë në histori, nën drejtimin e Guardiola, i cili e ka konsideruar gjithmonë një nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës.
Te City ai ka luajtur 450 ndeshje, ka shënuar 76 gola dhe ka dhënë 77 asistime, përveç faktit që ka fituar 18 trofe.
Këtë sezon, edhe pse ndikimi i tij është ulur, ai ka luajtur 43 ndeshje, ka shënuar tre gola dhe ka dhënë pesë asistime.
Në javët e fundit të kontratës së tij, Bernardo mund të shtojë ende një titull të shtatë të Premier League në palmaresin e tij, nëse City arrin të rikuperojë diferencën prej nëntë pikësh me Arsenal, si edhe një tjetër FA Cup, duke qenë se skuadra do të përballet me Southampton në gjysmëfinale.











