Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka njoftuar se protesta e radhës e opozitës që pritet të zhvillohet më 12 mars do të mbahet në orën 10:00 para Kuvendit. Ai theksoi se 12 marsi do të jetë dita e pranverës së demokracisë dhe përmbysjes së qeverisë të cilën e quan narkoregjim.
“Nuk duhet të ndalemi me këta horra, këta janë kriminelë, janë njerëz që nuk kanë asgjë të përbashkët me moralin tuaj, me familjet tuaja, janë antishqiptarë që po zbrazin Shqipërinë, po e shkatërrojnë dhe duhet t’u japim atë përgjigje që meritojnë.
12 marsi është një ditë e madhe. Më 12 mars të gjithë shqiptarët para Parlamentit. Më 12 mars është dita e pranverës së demokracisë, dita e përmbysjes së madhe të narkoregjimit. Ndaj, në orën 10 e gjithë Shqipëria te Parlamenti. Ne t’i japim përgjigjen e merituar Edvin Kristaq Ramës dhe bandës së tij”, u shpreh Berisha.
Protesta e opozitës do të zhvillohet ndërsa në Kuvenddo të mbahet seanca plenare ku do të votohet për heqjen e imunitetit të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.











