Bota e rrjeteve sociale është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të influencueses italiane Yulia Burtseva, e cila ka ndërruar jetë në moshën 38-vjeçare pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale për lifting të të pasmeve me vlerë 4 mijë paund, të kryer në Moskë.
Lajmi është bërë i ditur nga media të huaja dhe ka rikthyer vëmendjen publike mbi rreziqet që shoqërojnë operacionet plastike, veçanërisht kur ato kryhen jashtë vendit të origjinës.
Sipas burimeve paraprake, Burtseva nënë e nje djali, kishte udhëtuar drejt Rusisë për të kryer disa procedura estetike. Pas ndërhyrjes, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm për shkak të komplikacioneve post-operatore. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta stabilizuar, ajo nuk arriti t’u mbijetonte pasojave dhe ndërroi jetë pak kohë më vonë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku ndjekësit e saj kanë shprehur trishtimin dhe ngushëllimet për familjen.
Yulia Burtseva ishte e njohur për përmbajtjet e saj mbi modën, udhëtimet dhe stilin e jetesës, duke ndërtuar një komunitet të gjerë ndjekësish, kryesisht në Itali. Ndarja e saj e parakohshme ka lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe fansat që e ndiqnin çdo ditë në platformat sociale.










