Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë dhe përshëndeti Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Në këtë konferencë të organizuar nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me CEELI Institute morën pjesë gjyqtarë përfaqësues të gjykatave të larta amerikane dhe krerët e gjykatave të larta të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës u ndal te përgjegjësia që kanë gjyqtarët e gjykatave të larta, duke theksuar rolin e tyre si garantë të drejtësisë, duke siguruar respektimin e ligjit dhe ruajtjen e të drejtave e lirive themelore të qytetarëve, si dhe ndërtimin e besimit të publikut te drejtësia. “Ky rol kërkon profesionalizëm, integritet dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie publike”- u shpreh Presidenti i Republikës.
Kreu i Shtetit theksoi se roli i gjyqësorit bëhet edhe më i rëndësishëm teksa shoqëritë e vendeve tona përballen me një larmishmëri sfidash, të cilat kërkojnë zgjidhje jo vetëm juridike, por edhe një frymë që reflekton vlerat tona të përbashkëta demokratike.
Presidenti Begaj u ndal në rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së gjyqësorit, që “nuk është privilegj apo ekskluzivitet i një posti, por themel i demokracisë, garanci e paanshmërisë së gjykimit dhe kusht i domosdoshëm për një drejtësi që u shërben qytetarëve. Pavarësi do të thotë autonomi në gjykim, jo shkëputje nga përgjegjësia dhe llogaridhënia. Ajo është liri për të marrë vendime të drejta dhe objektive, larg çdo ndërhyrjeje apo influence politike e financiare”- theksoi ai.
Kreu i Shtetit u ndal në fjalën e tij edhe në dy parimet themelore që garantojnë besueshmërinë, drejtësinë dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor, siç janë transparenca dhe llogaridhënia.
Për Kreun e Shtetit: “Ato janë ana tjetër e medaljes së pavarësisë së gjyqësorit, që të dyja së bashku garantojnë standardet e drejtësisë”.
Presidenti i Republikës deklaroi edhe një herë nga kjo konferencë mbështetjen e tij për reformën në drejtësi, pavarësinë i institucioneve të reja të drejtësisë dhe përpjekjet e tyre në mbrojtje të të drejtave të individit dhe interesit publik, në dhënien fund të fenomenit të pandëshkueshmërisë, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar: “Mbështes rezultatet e deritanishme të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar GJKKO. Këto rezultate u kanë dhënë atyre statusin e institucionit me besimin me të lartë publik në vend.”- rikonfirmoi qëndrimin e tij në mbështetje të tyre Presidenti.
Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti Begaj garantoi mbështetjen e tij për të gjithë profesionistët e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe inkurajoi të vijojnë punën me profesionalizëm, pavarësi dhe integritet të plotë.
Fjala përshëndetëse e Presidentit të Republikës
Është kënaqësi që sot t’ju drejtohem në këtë konferencë të rëndësishme për drejtësinë dhe demokracinë në rajonin tonë. Ju përgëzoj për organizimin e kësaj konference, të nderuar kryetarë të lartë të gjyqësorit nga vendet e rajonit e më gjerë!
E vlerësoj nismën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore të dobishme për dialogun, shkëmbimin e eksperiencave më të mira dhe bashkëpunimin në fushën e drejtësisë.
Ju, gjyqtarët më të lartë, mbani mbi supe një përgjegjësi mjaft të madhe: jeni garantë të drejtësisë, duke siguruar respektimin e ligjit, ruajtjen e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve, si dhe ndërtimin e besimit publik.
Ky rol kërkon profesionalizëm, kërkon integritet dhe një ndjenjë të lartë dhe të thellë përgjegjësie publike.
Aspiratat tona për drejtësi janë të përbashkëta. Qytetarët tanë presin dhe meritojnë drejtësi të shpejtë, të paanshme, transparente dhe të shpejtë për të gjithë.
Një drejtësi e vonuar, në fund të fundit, është një drejtësi e mohuar.
Prandaj, roli i gjyqësorit bëhet edhe më i rëndësishëm teksa shoqëritë e vendeve tona përballen me një larmishmëri sfidash.
Këto sfida, komplekse në natyrë, shpesh kërkojnë një mendim juridik që mund t’i tejkalojë edhe kornizat ligjore në interpretim.
Ato kërkojnë jo thjesht zgjidhje juridike, por edhe një frymë, një frymë që reflekton vlerat tona të përbashkëta demokratike.
Në këtë kontekst, pavarësia e sistemit gjyqësor ka rëndësi jetike. Ajo nuk është privilegj apo ekskluzivitet i një posti, por themel i demokracisë, garanci e paanshmërisë së gjykimit dhe kusht i domosdoshëm për një drejtësi që u shërben qytetarëve.
Pavarësi do të thotë autonomi në gjykim, jo shkëputje nga përgjegjësia dhe nga llogaridhënia.
Ajo është liri për të marrë vendime të drejta dhe objektive, larg çdo ndërhyrjeje apo influence politike apo financiare.
Pikërisht për këtë arsye ajo duhet mbrojtur vazhdimisht nga korrupsioni, influencat e jashtme dhe çdo kërcënim tjetër që mund ta cenojë.
Transparenca dhe llogaridhënia janë dy parimet themelore që garantojnë drejtësinë, besueshmërinë dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor.
Ato janë ana tjetër e medaljes së pavarësisë së gjyqësorit dhe të dyja së bashku garantojnë standardet e drejtësisë.
Në një shtet të së drejtës, sigurimi i aksesit të plotë, të lirë dhe të barabartë të qytetarëve në drejtësi mbetet thelbësore në mënyrë që drejtësia të mos jetë një privilegj, por e drejtë e gjithkujt.
Përdorimi i duhur dhe i sigurt i teknologjisë mund ta bëjë drejtësinë më gjithëpërfshirëse, duke përmirësuar aksesin dhe transparencën dhe duke zvogëluar numrin e çështjeve të mbartura në kohë në mënyrë efikase.
Teknologjia duhet të shoqërohet me masa të forta për të mbrojtur sigurinë e institucioneve dhe me mjaft rëndësi çmohet ruajtja e privatësisë dhe të dhënat personale të qytetarëve.
Në Shqipëri ne kemi ndërmarrë një reformë, e cila ka sjellë zhvillime pozitive të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, si: forcimi i pavarësisë dhe rritja e profesionalizmit të Magjistratëve, rritja e transparencës dhe mekanizma të rinj për të parandaluar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Megjithatë, sfidë kryesore mbetet numri i lartë i çështjeve të mbartura, të cilat kanë shkaktuar vonesa në dhënien e drejtësisë duke rënduar mbi qytetarët tanë dhe kërkon zgjidhje urgjente dhe efikase.
Unë, si President i Republikës, kam mbështetur dhe do të vazhdoj të mbështes reformën në drejtësi, pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë dhe përpjekjet e tyre në mbrojtje të të drejtave të individit dhe interesit publik, në dhënien fund të fenomenit të pandëshkueshmërisë, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mbështes rezultatet e deritanishme të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Gjykatës përkatëse kundër Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Këto rezultate iu kanë dhënë atyre statusin e institucionit me besimin më të lartë publik në vend.
Unë mbështes të gjithë profesionistët e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, që të vijojnë punën me profesionalizëm, me pavarësi dhe integritet të plotë.
Shqipëria është duke ndërmarrë hapa të shpejtë dhe vendimtarë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Procesi i harmonizimit të legjislacionit të brendshëm me atë të BE-së kërkon angazhimin maksimal dhe të trupës gjyqësore.
Gjyqtari nuk është thjesht zbatues i ligjit, por një aktor aktiv në përafrimin e standardeve juridike të vendit tonë me ato të BE-së nëpërmjet jurisprudencës.
Garantimi i procesit të rregullt ligjor, rritja e kapaciteteve profesionale dhe interpretimi i normave në përputhje me parimet themelore të BE-së, janë thelbësore për një proces integrimi të suksesshëm.
Jam besimplotë se kjo konferencë do të shërbejë si një mundësi e mirë për të bashkëndarë eksperiencat tuaja, për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të forcuar bashkëpunimin nëpërmjet nesh.
Përvoja e vendeve tuaja dhe mësimet e nxjerra mund të shërbejnë si model për përmirësime të mëtejshme në sistemin e drejtësisë si dhe modele për rritjen e besimit të publikut, transparencës, si dhe aksesit të publikut në drejtësi.
Shpreh bindjen dhe shpresën se së bashku do të mund të ndërtojmë një sistem drejtësie më të pavarur, më profesional, më efikas dhe më pranë qytetarëve tanë.