Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka reaguar pas sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izrael ndaj Iran, si dhe kundërpërgjigjes së Teheranit me dronë dhe raketa.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Kallas i cilësoi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme si “të rrezikshme”, duke theksuar se Bashkimi Europian po punon për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Sipas saj, BE-ja është në koordinim me partnerët arabë për të gjetur rrugë diplomatike që do të ulnin tensionet. “Mbrojtja e civilëve dhe respektimi i ligjit ndërkombëtar humanitar është prioritet”, u shpreh ajo.
Kallas bëri të ditur gjithashtu se rrjeti konsullor i BE-së është angazhuar për të lehtësuar largimin e shtetasve europianë nga zonat e rrezikut, ndërsa personeli jothelbësor i Unionit po tërhiqet nga rajoni.
Reagimi i saj vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi nisjen e operacioneve ushtarake kundër Iranit, duke deklaruar se qëllimi është eliminimi i “kërcënimit nga regjimi iranian”. Ndërkohë, forcat iraniane kanë nisur kundërpërgjigje me sulme me dronë dhe raketa në rajon, duke rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme.











