Parlamenti Evropian ka miratuar një raport me 483 vota pro, 92 kundër dhe 86 abstenime, në një votim jo të detyrueshëm në Strasburg. Dokumenti propozon që fëmijët dhe adoleshentët nën 16 vjeç të mos kenë qasje në mediat sociale, platformat e videove dhe chatbotet me inteligjencë artificiale.
Nisma vjen një javë pasi presidenti francez Emmanuel Macron kritikoi teknologjitë amerikane dhe algoritmet kineze, duke theksuar se platformat krijojnë një kulturë ngacmimi dhe ekstremizmi, jo një hapësirë të lirë për shprehje.
Sipas Macron, këto mjete nuk forcojnë lirinë e fjalës, por krijojnë një ambient “të braktisur” me pak mbikëqyrje. Në të kundërt, mbrojtësit e mediave sociale, përfshirë Elon Musk, akuzojnë autoritetet evropiane se po përpiqen të heshtin zërat alternativë përmes rregullimeve të reja.
Ndërkohë, zyrtarë amerikanë kanë vizituar Brukselin për të kërkuar rishikimin e rregullave digjitale evropiane, duke ofruar në këmbim kushte më të favorshme tregtare për SHBA-në.
BE-ja deri tani ka refuzuar të ndryshojë kornizën e saj rregullatore, duke e konsideruar këtë një çështje sovraniteti. Macron ka kërkuar gjithashtu masa më të forta për mbrojtjen e fëmijëve dhe hapësirës demokratike.
Raporti thekson se një në katër të mitur paraqet përdorim “problematik” të smartphone-it, një sjellje që i afrohet varësisë.
Ligjvënësit paralajmërojnë për ndikimin negativ të dizajneve manipulative, si skrollimi i pafund, që dëmtojnë mirëqenien, përqendrimin dhe gjumin e fëmijëve. Ata kanë përshëndetur planin e Komisionit për krijimin e një aplikacioni evropian të verifikimit të moshës dhe përhapjen e portofolit digjital evropian.
Raporti bën thirrje për forcimin e rregullave ekzistuese, veçanërisht Aktit për Shërbimet Digjitale, që synon mbrojtjen e të miturve në internet.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është shprehur e gatshme të ndjekë shembullin e Australisë për ndalimin e mediave sociale për adoleshentët. Ajo ka premtuar ngritjen e një paneli ekspertësh për të shqyrtuar hapat e ardhshëm dhe ka theksuar se qëllimi kryesor është fuqizimi i prindërve dhe krijimi i një Europe më të sigurt për fëmijët.











