Fitorja spektakolare 6-1 e Bayern Munich ndaj Atalantës në ndeshjen e fazës së 1/8-ave të Champions League është shoqëruar edhe me lajme shumë të këqija për skuadrën bavareze. Klubi gjerman ka njoftuar se tre lojtarë, Alphonso Davies, Jonas Urbig dhe Jamal Musiala, kanë pësuar dëmtime dhe do të mungojnë në ndeshjet e ardhshme.
Problemi më shqetësues lidhet me Alphonso Davies. Mbrojtësi kanadez është diagnostikuar me një çarje muskulore në kofshën e djathtë. Duke pasur parasysh se ai sapo ishte rikthyer në stërvitje të plotë, ky dëmtim i ri mund ta mbajë jashtë për një periudhë të konsiderueshme, pikërisht në një moment shumë të rëndësishëm të sezonit.
Vështirësitë nuk kanë kursyer as repartin e portës. I riu Jonas Urbig, i cili kishte zëvendësuar Manuel Neuerin e dëmtuar, ka pësuar tronditje cerebrale. Sipas protokolleve të sigurisë, portieri do të duhet të pushojë plotësisht dhe më pas të ndjekë një rikthim gradual në stërvitje, duke krijuar pasiguri për situatën e Bayern në portë në prag të ndeshjeve të ardhshme.
Lojtari i tretë i dëmtuar është Jamal Musiala. Mesfushori ofensiv ka pësuar një reagim akut nga një dëmtim i vjetër në kyçin e këmbës, të marrë verën e kaluar. Dhimbjet e vazhdueshme e detyruan të linte fushën para fundit të ndeshjes, ndërsa stafi mjekësor tani këmbëngul që ai të ndalojë për të shmangur komplikime më serioze në vazhdim.
Kështu, Bayern jo vetëm që festoi një fitore të thellë në Bergamo, por mori edhe një goditje të rëndë në aspektin e organikës. Të tre lojtarët do të kalojnë në fazë rikuperimi dhe me shumë gjasa nuk do të jenë të gatshëm as për ndeshjen e kthimit ndaj Atalantës, e planifikuar pas një jave.
Në këtë mënyrë, triumfi i madh europian i skuadrës së Mynihut ka lënë edhe një shije të hidhur, pasi suksesi në fushë është shoqëruar me humbje të rëndësishme në përbërje.











