Bayern Munich po ndjek me shqetësim gjendjen fizike të Harry Kane, pasi sulmuesi anglez rrezikon të mungojë në sfidën e madhe ndaj Real Madridit. Sipas raportimeve, klubi gjerman është i alarmuar pas faktit që kapiteni anglez humbi dy ndeshjet e kombëtares për shkak të një problemi në këmbë.
Sulmuesi pritet t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore sapo të kthehet në Mynih, ndërsa te Bayerni kanë pak kohë në dispozicion për të kuptuar nëse ai do të jetë gati. Me vetëm gjashtë ditë deri në përballjen me Real Madridin, çdo shqetësim fizik i Kane shihet si një problem serioz për skuadrën gjermane.
Mungesa e tij do të ishte një goditje e rëndë për Bayernin, pasi bëhet fjalë për një nga lojtarët më vendimtarë të ekipit. Kane nuk arriti të ndihmonte as Anglinë në miqësoren ndaj Japonisë, gjë që ka shtuar edhe më shumë dyshimet për gjendjen e tij.
Tani gjithçka mbetet në dorën e testeve mjekësore dhe ditëve të ardhshme, ndërsa te Bayerni shpresojnë që lideri i tyre të rikuperohet në kohë për një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.











