Bayern Munich ka marrë vetëm një barazim 1-1 ndaj Bayer Leverkusen në Bundesliga, në një ndeshje shumë të tensionuar dhe të mbushur me episode të diskutueshme. Skuadra bavareze e mbylli sfidën me nëntë lojtarë, por gjithsesi arriti të rezistojë dhe të marrë një pikë në një duel të çmendur.
Leverkuseni kaloi i pari në avantazh me Aleix García, në një pjesë të parë ku ritmi nuk ishte shumë i lartë deri në momentet e fundit. Pak para pushimit, Bayern pësoi goditjen e parë të madhe, kur Nicolas Jackson u ndëshkua me karton të kuq direkt pas një ndërhyrjeje shumë të ashpër ndaj Martin Terrier, duke i lënë bavarezët me një lojtar më pak.
Në pjesën e dytë, ndeshja u bë edhe më dramatike. Bayern arriti të barazojë me Luis Díaz, por më pas kolumbiani u kthye nga hero në protagonist negativ, pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për simulim në zonë dhe la skuadrën e tij me nëntë lojtarë. Ky moment ndezi reagimin e fortë të trajnerit Vincent Kompany, i cili shpërtheu nga zemërimi në vijën anësore.
Takimi u shoqërua edhe me disa gola të anuluar. Një gol i Tah u anulua për prekje me dorë, ndërsa edhe Bayer pati një tjetër rrjetë të pavlefshme në fundin e ndeshjes. Pavarësisht epërsisë numerike, Leverkuseni nuk arriti ta shfrytëzonte plotësisht situatën, ndërsa Bayern mbrojti me forcë barazimin deri në vërshëllimën e fundit.
Në fund, skuadra e Kompany del me një pikë nga një ndeshje shumë e vështirë, ndërsa Leverkuseni mbetet me pengun e një mundësie të humbur për të marrë më shumë përballë një kundërshtari të gjymtuar nga kartonët e kuq.











