Alessandro Bastoni po kalon një moment të vështirë te Inter, ndërsa paraqitja e tij ndaj Como ka shtuar edhe më shumë dyshimet për formën aktuale të mbrojtësit italian.
Mbrojtësi zikaltër u zëvendësua në fund të pjesës së parë në sfidën ndaj Como, pasi pati përgjegjësi në të dy golat e pësuar nga skuadra e tij, veçanërisht te i dyti. Bastoni u shfaq në vështirësi në leximin e aksioneve dhe në reagimet mbrojtëse, duke konfirmuar se periudha e tij negative vazhdon.
Te goli i parë, ai u kap i papërgatitur në lëvizjet e sulmit të Como, ndërsa te goli i dytë u befasua nga pasimi i gjatë që nxori Nico Paz përballë mbrojtjes së Inter. Pas një 45-minutëshi të dobët, trajneri Chivu vendosi ta lërë në dhomat e zhveshjes dhe të aktivizojë Carlos Augusto.
Forma e Bastoni ka rënë ndjeshëm që pas ndeshjes me Juventus, me gabime individuale, zëvendësime të shumta dhe kritika që janë shtuar javë pas jave. Në dy muajt e fundit, ai ka kaluar një periudhë të vështirë, si në nivel klubi ashtu edhe me kombëtaren, ndërsa nuk kanë munguar as vërshëllimat nga tifozët në transferta të ndryshme.
Tani mbetet për t’u parë nëse Chivu do t’i besojë sërish nga minuta e parë në ndeshjen e ardhshme ndaj Cagliari, apo do të zgjedhë ta lërë në stol për t’i dhënë kohë të rikuperojë qetësinë dhe formën e tij më të mirë.
Pavarësisht momentit delikat, tek Inter vazhdojnë ta mbështesin Bastoni, duke besuar se ai mund të rikthehet sërish në nivelin që e ka bërë një nga mbrojtësit më të rëndësishëm të skuadrës.











