Javier Vilajoana, një nga kandidatët në garën për presidencën e Barcelonës, ka lëshuar një “bombë” në merkato duke zbuluar se ka nisur tashmë kontaktet e para me drejtuesit e Bayern Munich për transferimin e Harry Kane.
Në një intervistë për ESPN, Vilajoana shpjegoi se sulmuesi anglez është profili ideal që i mungon skuadrës katalanase për të bërë hapat e mëdhenj në Europë.
“Na mungon një sulmues që mund të lidhë lojën dhe të jetë vrasës brenda zonës. Kane di si të ulet poshtë për t’u lidhur me shokët e skuadrës, por edhe si të përfundojë aksionet. Lëvizshmëria e tij dhe puna në mbrojtje do t’i shtonin një vlerë të jashtëzakonshme ekipit. Atij i pëlqen Barcelona. Natyrisht, na mbetet vetëm ta diskutojmë këtë opsion,” u shpreh Vilajoana.
Kane ka një kontratë me gjigantët gjermanë deri në vitin 2027, por raportimet e fundit tregojnë se klauzola e tij e largimit ka rënë në rreth 60 milionë euro.
Nëse Barcelona vendos të hidhet në sulm për 32-vjeçarin, ky operacion do të ishte pothuajse identik me blerjen e Robert Lewandowskit katër vite më parë, kur polaku la po ashtu Mynihun për t’u bërë lider i sulmit në “Camp Nou”.









