Zv.kryeministrja e pezulluar Belinda Balluku ka dalë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pas një seance që zgjati rreth 40 minuta. Balluku nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve dhe mbajti heshtje totale për mediat.
Seanca e sotme u zhvillua për marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të masës së sigurisë ndaj saj dhe bashkëpunëtorëve të saj, Gentian Gjylit dhe Erald Elezit. Krahas motrës së saj, Pamela Qirko, në mbrojtje ishte dhe avokati Ardian Kalia.
Balluku u pezullua nga detyra dy ditë më parë me vendim të GJKKO-së dhe iu ndalua dalja jashtë vendit. Seanca e sotme zhvillohet në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, të regjistruar nga SPAK, dhe ka për qëllim marrjen në pyetje të të pandehurve dhe verifikimin e kushteve për caktimin e masave të sigurisë.
Ajo është marrë zyrtarisht e pandehur prej datës 31 tetor 2025 dhe akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publikë”, në bashkëpunim me vartësit e saj, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë me fond limit 180 milionë euro.
SPAK ka ngritur ndaj saj edhe një akuzë të dytë, që lidhet me dyshime për abuzime me tendera në lotin 4 të Unazës së Madhe.








