“Piranjat” rrëfyen sot historinë e Bajram Ganollit, 69-vjeçarit nga fshati Pojan i Maliqit, i cili prej gjashtë vitesh bën një jetë prej endacaku. Historinë e tij fillimisht e bënë publike dy djem nga po i njëjti fshat, Klevis dhe Migel Shasho, të cilët e kishin rastisur të moshuarin një mbrëmje pranë shtëpisë së tyre.
Bajrami tregoi se nuk ka kontakte me asnjë nga të afërmit e tij dhe se nuk ka krijuar familje; për këtë arsye sot është i vetëm. Ai rrëfeu se gjatë jetës së tij ka punuar si bari, por prej gjashtë vjetësh nuk punon më dhe tashmë endet rrugëve. Megjithëse bën një jetë prej endacaku, ai tha se e ka një shtëpi, e cila në fakt nuk është aspak në kushte të përshtatshme për të jetuar një i moshuar si ai.
Duke parë kushtet e tij, “Piranjat” u nisën drejt Bashkisë Maliq për të kërkuar ndihmën e shërbimit social. Por aty, drejtoresha dhe punonjëset nuk u treguan aspak bashkëpunuese, sepse, sipas tyre, ndihma mund të jepej vetëm pasi të bëhej një kërkesë me shkrim.
Dhe pasi “Piranjat” ua plotësuan kërkesën, morën një përgjigje prej tyre, në të cilën thuhej se Bajram Ganolli është vizituar në banesë dhe se është hapur një proces për sistemimin e tij në një institucion rezidencial./Piranjat.al











