Gjykata e Apelit ka filluar të enjten shqyrtimin e ankesave të Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi dhe fshehjen e trupit të tij. Avokati i familjes Rexhepi ka theksuar se për këtë vrasje nuk mund të ketë dënim tjetër përveç burgimit të përjetshëm.
Familjarët e Rexhepit janë përballur sërish me të akuzuarit gjatë shqyrtimit të ankesave, të cilët kanë pretenduar se aktgjykimi i mëparshëm është bërë pa prova të mjaftueshme. Florent Latifaj, avokati i Jeton Vllasaliut, ka këmbëngulur se mungojnë dëshmitë që të provojnë fjalët e prokurorisë, ndërsa avokatja e Nexhat Vllasaliut, Kosovare Kelmendi, ka theksuar se asnjëri nga dëshmitarët nuk e ka përmendur klientin e saj si pjesëmarrës në krim. Ekipi mbrojtës ka kërkuar rigjykim për rastin.
Në anën tjetër, avokati i familjes Rexhepi, Besnik Berisha, ka argumentuar se dëshmitë tregojnë qartë fajësinë e të akuzuarve. Ai ka cituar një deklaratë të bërë nga Nexhati, ku pranon veprimet e tij në fshehjen e trupit, duke e konsideruar dënimin me burg të përjetshëm si të domosdoshëm për natyrën e krimit. Sipas aktakuzës, vëllezërit Vllasaliu e kanë mashtruar Rexhepin lidhur me shitjen e dy veturave, duke e ngufatur atë në shtëpinë e njërit nga të akuzuarit, në datën 8 prill 2021, me qëllim që të merrnin një shumë prej 30 mijë eurosh. Megjithatë, vetëm 8 mijë euro janë gjetur në pronësi të Rexhepit.
Pas krimit, trupin e pajetë të Rexhepit e kanë transportuar dhe fshehur, duke e varrosur në një vend të quajtur Mali i Madh. Avokati Berisha e përshkroi krimin si një akt të sofistikuar, të kryer me pabesi, dhe theksoi se veprimet e Vllasaliu kanë qenë të koordinuara për t’i dhënë fund jetës së viktimës. Mbetjet e Rexhepit janë zbuluar më shumë se një vit pas vrasjes.










