Qeveria australiane ka vendosur të përgjysmojë taksën e karburantit për një periudhë tre mujore, në përpjekje për të mbështetur drejtuesit e automjeteve që po përballen me rritje të ndjeshme të çmimeve. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Anthony Albanese.
Aktualisht, taksa është 52 cent për litër, por do të reduktohet përkohësisht në gjysmën e saj. Masa pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 1.75 miliardë dollarë australianë.
“Po ulim koston e karburanteve sot, sepse e kuptojmë që australianët janë nën presion të madh”, deklaroi Albanese, duke theksuar nevojën për ndërhyrje të menjëhershme.
Rritja e çmimeve është bërë tashmë e dukshme. Në New South Wales, çmimi mesatar i benzinës u rrit nga 1.82 në 2.48 dollarë australianë për litër brenda pak javësh, ndërsa nafta arriti deri në 3 dollarë për litër.
Shtetet Viktoria dhe Tasmania kanë njoftuar transport publik falas, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të kufizojnë përdorimin e makinave për të kursyer furnizimet.
Kryeministri theksoi se ulja e konsumit në qytete do të ndihmojë që më shumë karburant të dërgohet në zonat rurale, të cilat po përballen me presion më të madh.
Qeveria federale ka paraqitur gjithashtu një projektligj që lejon garantimin e blerjeve të mëdha të karburanteve, me qëllim forcimin e furnizimit në tregun vendas.
Sipas të dhënave të fundit, rezervat e Australisë mbulojnë rreth 39 ditë për benzinën dhe 30 ditë për naftën, nivele që konsiderohen të kufizuara në periudha pasigurie të lartë.











