Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar një raport kritik lidhur me ndërtimin e Klinikave Nefrologji dhe Hemato-Onkologji në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për periudhën 2018-2025. Auditimi, i cili shqyrton procesin e ndërtimit nga buxhetimi deri në implementim, ka evidentuar një mori mangësish në menaxhimin e projektit.
Raporti thekson se ka pasur mangësi të dukshme në planifikimin buxhetor, procedurat e tenderimit dhe menaxhimin e fondeve. Aty përfshihen çështje si: mospërputhjet në specifikimet teknike, dobësitë në vlerësimin e ofertave gjatë tenderimit dhe një qasje e dyfishtë në hartimin e specifikave teknike. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, thekson nevojën për një qasje më sistematike në zbatimin e projekteve, për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë në menaxhimin e fondeve publike.
ZKA-ja ka ofruar pesë rekomandime për të përmirësuar proceset e ndërtimit. E para lidhet me forcimin e kontrolleve të brendshme për të siguruar harmonizimin e buxhetimit dhe transparencën e fondeve. E dyta, përfshin nevojën për kontroll më të efektshëm të njësive dhe zyrës së prokurimit për specifika teknike të qarta. Të tjera rekomandime përfshijnë përmirësimin e sistemit të kontrollit gjatë përgatitjes së paramasës, sigurinë që tenderët të konsiderohen të përgjegjshëm vetëm kur plotësojnë të gjitha kërkesat, dhe ndarjen e burimeve dhe shpenzimeve për çdo projekt.
Këto mangësi dëshmojnë për nevojën e rritjes së standardeve dhe mekanizmave të kontrollit për të parandaluar shpenzimet dhe gabimet që mund të ndodhin gjatë procesit të ndërtimit. Raporti paraqet një thirrje të qartë për qeverinë për të rishikuar dhe përmirësuar procedurat e menaxhimit të projekteve për të siguruar që investimet publike të shfrytëzohet në mënyrë efektive dhe transparente.










