Atlético Madrid ka marrë një fitore të madhe 5-2 ndaj Tottenham në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave të Champions League, duke hedhur një hap gjigant drejt kualifikimit. Skuadra e Diego Simeone dominoi në “Metropolitano” dhe përfitoi maksimalisht nga një mbrëmje katastrofike e portierit Kinsky.
Vendasit e nisën ndeshjen me presion të madh dhe gjetën shumë shpejt avantazhin. Marcos Llorente shënoi golin e parë pas një gabimi në ndërtimin e lojës nga Kinsky, me topin që përfundoi te Julián Álvarez dhe më pas te mesfushori spanjoll, i cili realizoi pa vështirësi.
Sulmet e Atlético-s vazhduan pa pushim dhe pak më vonë Antoine Griezmann dyfishoi shifrat, duke përfituar sërish nga një tjetër pasiguri e rëndë e portierit çek. Më pas erdhi edhe goli i tretë, sërish pas një gabimi të Kinsky me topin në këmbë, ku Julián Álvarez përfitoi dhe dërgoi topin në rrjetë për 3-0 pas vetëm 20 minutash lojë.
Mbrëmja e portierit të Tottenham ishte aq e dobët, sa trajneri Tudor vendosi ta zëvendësonte. Kinsky u largua nga fusha mes duartrokitjeve ironike të publikut vendas, por as hyrja e Vicario nuk e ndaloi vrullin e Atlético-s. Vetëm pak minuta pas hyrjes së tij, Le Normand realizoi golin e katërt pas një topi të kthyer nga portieri.
Tottenham reagoi rreth minutës së 30-të me Pedro Porro, i cili ngushtoi shifrat në 4-1 pas një aksioni të bukur të Richarlison. Londinezët tentuan të riktheheshin në lojë dhe krijuan disa raste, madje Romero u ndal nga shtylla, ndërsa edhe Atlético pati mundësinë të thellonte më tej rezultatin.
Në pjesën e dytë ritmi mbeti i lartë. Tottenham ishte pranë golit të dytë, por Oblak bëri ndërhyrje vendimtare. Në kundërsulm, Julián Álvarez zhvilloi një aksion fantastik individual dhe shënoi golin e pestë për Atlético-n, duke vulosur praktikisht fatin e përballjes.
Në fund, Tottenham gjeti edhe golin e dytë pas një gabimi të vetë Oblak, i cili dhuroi topin për Pedro Porro, ndërsa ky i fundit shërbeu për Solanke që realizoi lehtësisht për 5-2. Ndeshja u mbyll me këtë rezultat spektakolar, edhe pse fundi u errësua disi nga një përplasje e fortë mes Romero dhe Palhinha, të cilët nuk mundën ta vazhdonin lojën.
Me këtë fitore bindëse, Atlético Madrid duket shumë pranë çerekfinaleve, ndërsa Tottenham do të ketë nevojë për një mrekulli në ndeshjen e kthimit për të përmbysur një disavantazh kaq të madh.











