Asambleja e Partisë Socialiste do të mblidhet në datën 21 mars. Kjo datë u vendos këtë të mërkurë, në mbledhjen që kryeministri Edi Rama zhvilloi në selinë rozë.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, pas mbledhjes së Kryesisë u shpreh se do të ketë zgjedhje brenda partisë dhe sipas tij, ky proces është për të rifreskuar dhe forcuar strukturat.
Klosi: Proces që është bërë çdo dy vite në PS dhe është proces i reformimit të gjithë strukturës në PS. Është proces që do përfshijë të gjithë forumet e PS dhe do shtrihet në çdo qelizë të PS në gjithë vendin. Në mbledhjen e datës 21 do kemi për diskutime për përfshirjen të të gjithë anëtarëve të PS, në një proces që do t’i hapë rrugën edhe zgjedhjeve të reja, që PS ka kërkuar gjithmonë rifreski. 12 qershori i këtij viti shënon 35-vjetorin dhe gjithë procesi do të kurorëzohet në këtë datë.
Statuti përcakton që zgjedhjet në forumet vendore, drejtuesve lokalë, por edhe më një dimension të ri, që nga zgjedhjet e kaluara e kemi evidentuar të rëndësishëm. Që është partia në diasporë. Do ketë vendimmarrje për shtrirjen e strukturave lokale dhe në degët në diasporë, sigurisht në vendet që kishim numrin më të madh të votave. Kësaj vote në do t’i përgjigjemi me organizim strukturash, krijimin e strukturave kudo që shqiptarët ndjekin, mbështesin votojnë, PS.
Lidhur me rrëzimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres, Belinda Balluku, Klosi nënvizoi se PS e mbështet reformën në drejtësi.
Klosi: Kjo parti e ka shprehur qartazi qëndrimin e saj, nuk kemi diskutime, mbështetja për drejtësinë e re ka qenë, kemi ardhur në pushtet në 2013, reformën ia kemi ofruar qytetarëve shqiptarë, vazhdojmë ta mbështesim. Nuk do kemi pengim të hetimeve, koment për hetimin dhe gjykimet e fundme të vendimmarrjes së drejtësisë së re.











