Një 41-vjeçar është arrestuar nga policia në Tiranë pasi qarkullonte me armë zjarri në automjet. Arrestimi u bë gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në kuadër të operacionit të koduar “Doreza”.
Sipas policisë, në pranga ka rënë shtetasi L. Sh., 41 vjeç, banues në Tiranë, i cili u ndalua gjatë natës në rrugën “Selitë e Vogël”.
Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ai qarkullonte, efektivët gjetën një armë zjarri pistoletë me krehër dhe fishekë. Arma ishte fshehur në një hapësirë të improvizuar nga vetë i arrestuari, në afërsi të dorezës së derës së drejtuesit të automjetit.
Policia bëri të ditur se kontrollet janë kryer në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që posedojnë sende të kundërligjshme.
Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.











