SHKODËR – Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Livadhet 3”, në kuadër të hetimeve për veprimtari kriminale në fushën e vjedhjes dhe armëmbajtjes pa leje.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkodrës, u arrestua shtetasi O. Ç., 19 vjeç, banues në Shkodër.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 aparate celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet që dyshohet se është vjedhur në qytetin e Fushë-Krujës në vitin 2019, si dhe 2 targa automjeti të dyshuara të vjedhura në Tiranë gjatë vitit 2025.
Ky operacion lidhet me hetimet e mëparshme të zhvilluara në kuadër të operacioneve policore të koduara “Livadhet 1” dhe “Livadhet 2”, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Policia bën me dije se vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit të arrestuar, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme ligjore.










