Trajneri i Real Madridit, Álvaro Arbeloa, ka dhënë një nga deklaratat më të forta dhe më interesante para derbit, duke vënë në qendër të vëmendjes Antonio Rüdigerin.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Arbeloa nuk i kurseu elozhet për mbrojtësin gjerman, madje shkoi deri aty sa tha me humor se do të ishte gati t’i ngrinte edhe një statujë në kopshtin e shtëpisë së tij.
“Jam i gatshëm t’i bëj një statujë Rüdigerit dhe ta vendos në kopshtin tim,” u shpreh Arbeloa, duke treguar qartë sa shumë e vlerëson ndikimin dhe përkushtimin e lojtarit.
Tekniku madrilen zbuloi edhe një bisedë që kishte pasur me Rüdigerin që në fillim, duke treguar karakterin dhe profesionalizmin e mbrojtësit. Sipas tij, lojtari i kishte premtuar se do të ishte gati pikërisht në momentet më të vështira të sezonit, dhe kështu ka ndodhur.
“Që ditën e parë më tha: mister, kur të vijë marsi dhe ndeshjet e vështira, unë do të jem gati,” tregoi Arbeloa, i cili e konsideroi gjermanin një shembull perfekt për të rinjtë.
Për Arbeloan, Rüdiger nuk është vetëm një futbollist me cilësi të larta, por edhe një figurë me personalitet, forcë karakteri dhe shpirt sakrifice, elementë që sipas tij i japin shumë skuadrës në momentet më të rëndësishme.
Përveç Rüdigerit, trajneri foli edhe për disa çështje të tjera të rëndësishme në prag të derbit. Për Kylian Mbappé, ai siguroi se sulmuesi është plotësisht gati, duke theksuar se është “100%” dhe në gjendje shumë të mirë për të ndihmuar skuadrën.
Sa i përket Thibaut Courtois, Arbeloa u tregua më i rezervuar. Ai tha se nuk është vendosur ende një afat i saktë për rikthimin e portierit belg, por nënvizoi se Real Madridi ka fatin të ketë edhe Lunin, të cilin e cilësoi një portier fantastik.
Interesante ishte edhe përgjigjja e tij për dilemën mes Jude Bellingham dhe Thiagos. Arbeloa nuk dha shumë detaje, por e bëri të qartë se për të është një “problem i bekuar” të ketë lojtarë të tillë në dispozicion.
“Kur të vijë momenti, do ta kalojmë atë urë. Por çfarë problemi i bukur është të zgjedhësh mes tyre,” tha ai, duke lënë të kuptohet se të dy mund të luajnë edhe bashkë.
Ndërkohë, për deklaratën e Diego Simeones, i cili e ka cilësuar Atlético Madridin si “skuadra e popullit”, Arbeloa zgjodhi të mos hapte polemikë. Ai tha shkurt se është i fokusuar vetëm te skuadra e tij, por njëkohësisht tregoi respekt maksimal për trajnerin argjentinas, duke e quajtur një nga teknikët që të shtyn gjithmonë në limit.
Në fund, Arbeloa vlerësoi edhe rolin e Carvajalit, duke e cilësuar atë një lider të vërtetë, jo vetëm për atë që jep në fushë, por edhe për ndikimin që ka në dhomat e zhveshjes.
Konferenca e tij para derbit tregoi qartë një gjë: Arbeloa është i bindur te grupi që ka në dispozicion, por mbi të gjithë, këtë herë, njeriu i momentit për të ishte pa dyshim Antonio Rüdiger.











