E ardhmja e Mohamed Salah te Liverpool po bëhet gjithnjë e më e paqartë pas intervistës së tij shpërthyese, ku 33-vjeçari akuzoi klubin se e ka “hedhur nën autobus” dhe deklaroi se marrëdhënia e tij me trajnerin Arne Slot është prishur plotësisht.
Slot e la jashtë skuadrës për ndeshjen e Champions League kundër Interit, të cilën “Reds” e fituan 1–0 falë golit të vonë të Dominik Szoboszlai. Liverpool dëshiron ta mbajë egjiptianin në “Anfield”, por kjo duket gjithnjë e më pak e mundshme.
Sipas Gulf News, Arabia Saudite është e gatshme të bëjë “çfarëdo që duhet” për të sjellë Salah në Pro League gjatë merkatos së janarit. Autoritetet saudite po monitorojnë nga afër situatën e tij dhe kërkojnë një transferim, qoftë në formë huazimi apo blerjeje të plotë.
Në garë për nënshkrimin e tij janë disa klube të pasura të Arabisë Saudite:
- Al-Hilal, klubi kryesor i financuar nga PIF, është shumë i interesuar
- Al-Qadsiah gjithashtu shihet si një opsion serioz
Salah ka shënuar 250 gola dhe ka dhënë 116 asistime në 420 paraqitje për Liverpool-in, duke fituar dy tituj të Premier League dhe një Champions League. Megjithatë, këtë sezon ai nuk ka qenë në formën e tij më të mirë, me vetëm katër gola në 13 ndeshje të kampionatit.











