Fluturimet drejt Greqisë dhe Italisë të planifikuara për ditën e sotme, pritet të anulohen plotësisht pasi punonjësit e kontrollit të trafikut ajror janë ngritur në grevë masive që pritet të zgjasë rreth 24 orë.
Greva në Greqi është organizuar nga Konfederata e Nënpunësve Civilë (ADEDY), ndërsa të gjithë punonjësit kanë parashtruar kërkesat e tyre ku bëhet fjalë për rikthimin e pagave bonus për pushime, rritje të pagave reale dhe masa për të luftuar krizën e strehimit në Greqi.
“Fatkeqësisht, kontrolli i trafikut ajror në Greqi është në një situatë të keqe pasi ne kemi mungesë të personelit dhe probleme me pajisje të cilat shkaktojnë shumë vonesa në vitet e fundit dhe do të shkaktojnë shumë edhe këtë vit”, tha Shoqata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Greqisë për The Independent.
Gjithashtu në protestë për të kërkuar të drejtat e tyre janë bashkuar dhe personelet e kompanive ajrore në Itali duke përkeqësuar potencialisht ndërprerjen e udhëtimve në të gjithë kontinentin. Stjuardesat e EasyJet të lidhura me sindikatat italiane (FILT, CGIL dhe UIL) janë bashkuar në grevë nga ora 10.30 deri në orën 14.30 të ditës së sotme.
“Ne dëshirojmë të sigurojmë klientët se po bëjmë gjithçka që është e mundur për të minimizuar çdo ndërprerje si rezultat i aksionit të grevës dhe nëse ndonjë fluturim do të ndikohet, ne do të kontaktojmë drejtpërdrejt klientët me opsionet e tyre për të ndihmuar në riorganizimin e planeve të tyre”, tha linja ajrore për gazetën britanike The Independent.
Ndërkohë të gjithë udhëtarët që kanë planifkuar udhëtime për ditën e sotme drejt Italisë apo dhe Greqisë, iu këshillohet të kontrollojnë herë pas here statusin e fluturimit të tyre për të qenë të njoftuar për vonesat e mundshme apo dhe anulim të udhëtimit.