Gjatë vizitës së tij në Jerusalem, kryeministri shqiptar Edi Rama, në një intervistë për “The Jerusalem Post”, diskutoi çështje si antisemitizmi, marrëdhëniet me Izraelin dhe historinë e Shqipërisë gjatë Holokaustit.
Rama mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Generation Truth”, ku theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit mbi antisemitizmin, duke e shpallur këtë fenomen si një sulm ndaj moralitetit njerëzor në përgjithësi.
Në fjalën e tij, ai e citoi Talmudin, duke përshkruar shpëtimin e një jete si faktorin që mundëson shpëtimin e gjithë botës. Ai nënvizoi se antisemitizmi nuk është vetëm urrejtje ndaj hebrenjve, por një rrezik për të gjithë shoqërinë.
Rama ndau përvoja personale nga fëmijëria, kur jetonte në Shqipërinë komuniste, ku Izraeli perceptohej si armik. Ai e kujtoj se, megjithë propagandën negative për Izraelin, ndjenja e tij për Jerusalemin u rrit, përmes biblës që i kishte gjyshja, një katolike besimtare, e cila kishte ruajtur një lidhje me këtë qytet.
Përsa i përket Holokaustit, Rama e theksoi kodin shqiptar të nderit “Besa”, i cili i dha mbrojtje hebrenjve. Ai përmendi se Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë ku numri i hebrenjve ishte rritur gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke shpëtuar mbi 3,700 hebrenj, duke përshkruar rezistencën e shqiptarëve ndaj kërkesave të nazistëve për të dorëzuar hebrenjtë.
Përsa i përket situatës aktuale globale, Rama shprehu shqetësimin për rikthimin e hapur të antisemitizmit, i cili shpesh maskehet si kritikë politike. Ai është i mendimit se ky fenomen fillon me gjuhën, indiferencën dhe justifikimet.
Në lidhje me ngjarjet e 7 tetorit dhe luftën që pasoi, ai e përkufizoi terrorizmin si krim kundër njerëzimit, duke e kritikuar legjitimimin e tij si një formë rezistence. Ai shtoi se vuajtjet e palestinezëve janë reale dhe vërtet zemërthyese
Pavarësisht situatave të tensionuara, Rama theksoi se Shqipëria mbetet një vend mik për hebrenjtë dhe Izraelin, pa tregues të antisemitizmit ndaj vizitorëve hebrej në territorin e saj. Ai e konsideron miqësinë me Izraelin një nder dhe një obligim moral.










