Tirana renditet mes kryeqyteteve me nivelin më të ulët të kënaqësisë për transportin publik në Europë, ku vetëm 29% e qytetarëve shprehen të kënaqur, sipas anketës së Komisionit Evropian për Cilësinë e Jetës në 83 qytete. Sipas Eurostat, në vitin 2024 Shqipëria numëron 8 886 autobusë urbanë, ndërqytetas dhe elektrikë, por vetëm 432 prej tyre janë mjete të reja, ose 4.9% e flotës, nën mesataren e BE-së prej 5.1%.
Me të njëjtin nivel kënaqësie si Tirana renditet edhe Roma, me 29%. Pas tyre vijnë Podgorica me 37%, si dhe Beogradi dhe Nikozia me nga 44% qytetarë të kënaqur me transportin publik. Në krye të renditjes qëndron Vjena, e cila vlerësohet si kryeqyteti me nivelin më të lartë të kënaqësisë për transportin publik në Europë.
Rezultatet që nxjerrin Tiranën në fund të renditjes europiane për kënaqësinë ndaj transportit publik janë një kambanë alarmi për Bashkinë, e cila prej vitesh premton reforma, por qytetarët vazhdojnë të përballen me autobusë të mbipopulluar, linja të paqarta dhe flotë të amortizuar.
Vetëm 4.9% e autobusëve janë mjete të reja dhe kjo tregon qartë mungesë investimi dhe vizioni afatgjatë për një sistem modern dhe funksional, në një qytet që rritet çdo vit si në popullsi ashtu edhe në trafik.











