Carlo Ancelotti flet ngadalë, si dikush që nuk ka më nevojë ta ngrejë zërin për t’u dëgjuar. Në “Universo Valdano” në Movistar Plus, trajneri italian rikthehet te rruga e tij në pankina, prezanton librin e ri “The Dream” dhe lë një përshtypje të qartë: uria për futbollin është ende aty, por tani me një qetësi tjetër.
Sot, në krye të përfaqësueses së Brazilit, ai shfaqet i sigurt për zgjedhjen e tij. “Ndihem mirë. Braziliani janë shumë mikpritës. Ishte koha e duhur. Tani kam kohë të relaksohem. Ndihem shumë komod brenda CBF-së,” thotë ai, pa iu shmangur sfidës së Botërorit: “Presioni është një mundësi për t’u motivuar edhe më shumë.”
Ancelotti ndalet edhe te mentorët që e formësuan. Ai kujton me mall Arrigo Sacchi-n dhe ndan një anekdotë pak të njohur: “Babai i tij kishte një kompani këpucësh. Shkonte në Holandë t’i shiste në vitet ’70. Aty nisi të shihte ‘Total Football’ të Ajax-it dhe mori ide që më pas i aplikoi te Milani.”
“Veteranët e Realit nuk kishin ego”
Nëse ka një figurë të lidhur me epokën e Milanit, është Silvio Berlusconi. Ancelotti buzëqesh kur e kujton: “Në 2003 donte të ishte në fjalimin para finales së Champions League. Unë po shpërndaja një fletë me skemat e goditjeve standarte dhe ia dhashë edhe atij. Më pas më tha se kisha folur shumë mirë. Vite më vonë shkroi një libër dhe pretendoi se e kishte përgatitur ai atë fletë,” rrëfen Ancelotti me të qeshur. Megjithatë, thekson respektin për të: “Ishte njeri i madh. Ndonjëherë të kritikonte, por kurrë në momentet e vështira.”
Ai e njeh mirë botën e finaleve, por asnjë si Stambolli. “Ishte finalja më e mirë taktikisht që kam luajtur me një nga ekipet e mia,” thotë për natën ndaj Liverpoolit. “Në pushim tifozët vazhdonin të këndonin dhe u thashë lojtarëve: ‘Kujdes, kjo nuk ka mbaruar. Ata nuk kanë mbaruar.’” Dhe ashtu ndodhi: Liverpool barazoi dhe fitoi trofeun me penallti, ku Dudek u bë heroi i mbrëmjes.
Për Ancelottin, eksperienca e ka mësuar të relativizojë edhe vetë postin: “Kontrata e trajnerit zgjat sa zgjat besimi. Jam shkarkuar pothuajse kudo. Nga dhjetë klube, jam shkarkuar shtatë herë. Kur s’ka besim…” Prej këtu kalon te përshtatja, si çelës i sukseseve të fundit të Real Madridit: “Kur u ktheva në 2021, kishte veteranë si Casemiro, Modrić, Kroos, Benzema dhe Marcelo, dhe të rinj si Vinícius, Rodrygo, Valverde dhe Camavinga. Çelësi ishte se veteranët nuk kishin ego. I shihnin të rinjtë si mundësi për të fituar sërish.”
Vinícius dhe “rregulli” i respektit
Për shpërthimin e Vinícius Júnior ndaj Xabi Alonso-s në “Clásico”-n e fundit të La Liga-s, Ancelotti thotë: “Kam folur me të. Ka shumë pasion dhe e ka përmirësuar qëndrimin, por duhet të respektosh trajnerin dhe shokët e skuadrës.” Ai e krahasoi me një episod me Toni Kroos: “Një herë e zëvendësova dhe u mërzit, më pa keq. Të nesërmen e pyeta nëse duhej ta diskutonim dhe ai tha: ‘Kaq.’ Dhe kaq ishte.”
Pastaj vjen mesazhi i fortë: “Kroos, Casemiro dhe Modric kanë njohuritë e nevojshme për të qenë trajnerë. Kam folur me ta për të kuptuar si mendonin për disa vendime.”
“Shumë ujë e vret bimën”
Kur flet për profesionistët model, del një emër: Cristiano Ronaldo. Ancelotti përmend edhe një fjali që i ka mbetur në mendje: “Një nga më profesionistët që kam pasur. Një ditë më tha: ‘Shumë ujë e vret bimën.’ Futbolli kërkon shumë fizikisht, por duhet të kujdesesh për rikuperimin. Shumë dëmtime vijnë nga konsumimi i tepërt.”
Ai e sheh futbollin modern me distancë kritike: “Tani lojtarët kanë shumë më tepër përgjegjësi. Janë të rrethuar nga njerëz dhe, kur diçka shkon keq, kthehen në shtëpi me dikë për të fajësuar: trajnerin. Dhe jo gjithmonë është kështu.”
“Do ta rinovoj me Brazilin edhe katër vite”
Për të ardhmen, Ancelotti shprehet optimist: “Mendoj se do ta rinovoj edhe për katër vite me Brazilin. E dua këtë punë: analizë, vlerësim dhe një Botëror.” Ai vendos përvojën mbi obsesionin me metodologjinë: “Nëse beson vetëm te metodologjia, atëherë punëson një inteligjencë artificiale. Përvoja nuk blihet.”
Për kombëtaren e Brazilit, ai është i bindur: “Nëse ekipi është i plotë, do të bëjë mirë. Kam të paktën 15 sulmues potencialë dhe një mbrojtje me përvojë. Është ekip i ndërtuar mirë.” Sa për rivalët, vlerëson rritjen e Spanjës së Luis de la Fuente, por paralajmëron: “Nuk janë favoritë më të mëdhenj se Brazili. Janë si Argjentina ose Portugalia: mesfusha shumë të forta.”
Në fund, Ancelotti nuk flet me absolutizma. Ai zgjedh më të vështirën dhe më njerëzoren: besimin, përshtatjen dhe kujtesën. Sepse futbolli ndryshon, por njerëzit mbeten zemra e gjithçkaje.










