Që nga momenti kur u njoftua se shefi i kabinetit të kryeministrit, Morgan McSweeney, po largohej, redaktori politik i BBC-së, Chris Mason, shkruan se ka folur me shumë figura të Partisë Laburiste, për të kuptuar gjendjen e tyre dhe, më e rëndësishmja, çfarë mund të ndodhë më pas.
Sipas tij, ky është nga ato momente të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme ku gjithçka duket e mundshme, ose të paktën asgjë nuk do të ishte krejtësisht befasuese. Largimi i shefit të komunikimit, Tim Allan, ndodhi më pak se 24 orë pas lamtumirës së McSweeney-t. Vetëm disa orë më vonë, Starmer humbi një tjetër aleat të afërt, duke theksuar edhe më shumë se sa pa drejtim duket administrata e tij.
Kush është fajtor për rrëmujën ku ndodhet qeveria britanike ndryshon sipas atij që pyet. Por një gjë nuk ndryshon: të gjithë e pranojnë se gjendja e Keir Starmer-it është e rëndë dhe se ai po përballet me rrezik të madh. Ata që kanë folur me të gjatë fundjavës e përshkruajnë si një njeri të vetëdijshëm për situatën. Ai është i mbushur me zemërim për ato që i quan “gënjeshtrat” e Lord Mandelson ndaj të cilave ra pre, dhe është i zemëruar me veten për gabimin e rëndë që bëri duke e emëruar atë ambasador në SHBA.
“Ai e urren idenë se ka zhgënjyer njerëzit dhe kjo e prek shumë. Ai e di që ka bërë një gabim të madh”, i tha një figurë e lartë në Partinë Laburiste gazetarit të BBC-së.
Javën e ardhshme Starmer hyn në një pozicion të paprecedentë. Për aq kohë sa ka kërkuar ose mbajtur udhëheqje politike, McSweeney ka qenë gjithmonë pranë tij, që nga kandidimi për udhëheqjen e Laburistëve gjashtë vite më parë, gjatë momenteve të vështira si humbja e zgjedhjeve në Hartlepool, e deri te fitorja e madhe në zgjedhjet e përgjithshme të verës së vitit 2024, dhe më pas në Downing Street.
Tani, me largimin e dy personave të tij të afërt, McSweeney dhe Allan, po shihet sa i rrezikuar është kryeministri britanik. McSweeney shpesh merrte përsipër fajin për gabimet e qeverisë, por tani rreziku është që goditja e radhës të bjerë direkt mbi Starmer-in.
Disa deputetë janë të dëshpëruar për largimin e McSweeney-t: “Brilant, dinamik, i shpejtë, motivues, ai na solli deri këtu,” tha një deputet i zgjedhur në vitin 2024. Të tjerë thonë se, pavarësisht suksesit të tij, ai ishte aty kur edhe kur ndodhën gabimet e përsëritura.
Pyetjet kryesore tani lidhen me kryeministrin vetë. Aleatët dhe kritikët e tij flasin me gjuhë të ngjashme: një ndjenjë e pashmangshme pesimizmi. Një figurë e lartë tha: “Ky është një nga shanset e tij të fundit.” Një tjetër shtoi: “Do të duhet të dalë dhe shumë shpejt të tregojë qartë çfarë përfaqëson dhe çfarë dëshiron të bëjë”.
Starmer pritet të flasë në mbledhjen e mbyllur të Partisë Laburiste Parlamentare të hënën në mbrëmje. Për momentin nuk pritet të dalë para kamerave, por kjo mund të ndryshojë. Deputetët e partisë janë elektorati më i rëndësishëm për të tani, pa autoritetin e tyre, një kryeministër nuk qëndron gjatë në detyrë.
Shumë deputetë e shohin këtë si “shansin e fundit“. Largimi i McSweeney-t i ka blerë Starmer-it kohë, por ndoshta vetëm një javë. Pas kësaj, shumë deputetë do të jenë sërish të pasigurt. Keir Starmer është kryeministri i gjashtë në dekadën e fundit. Nëse largohet në muajt e ardhshëm, Britania do të kishte kryeministrin e pestë brenda katër vitesh. Dhe kjo tashmë duket si një mundësi reale.











