Mbrojtësi anglez Trent Alexander-Arnold ka deklaruar se përballja mes Real Madridit dhe Liverpoolit në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve ishte “e destinuar të ndodhte”, duke kujtuar historinë e përballjeve të shpeshta mes dy skuadrave në këtë kompeticion gjatë viteve të fundit.
Në një intervistë për Amazon Prime Sport, ai u shpreh:
“Të gjithë e dinim se kjo ndeshje do të ndodhte. Ata janë një skuadër e jashtëzakonshme, dhe e dija që në një moment do të përballesha sërish me ta. Thjesht ndodhi më shpejt se sa prisja.”
Alexander-Arnold pranoi se përballja do të jetë shumë e vështirë, por theksoi se e pret me padurim, duke shtuar se nuk do të festojë nëse arrin të shënojë kundër ish-ekipit të tij.
Pas rikuperimit nga një dëmtim muskulor, mbrojtësi i Real Madridit shpreson të jetë plotësisht gati për ndeshjen ndaj “The Reds”. “Liverpooli do të mbetet gjithmonë pjesë e imja. Do të jem gjithmonë tifoz i tyre dhe mirënjohës për gjithçka që kemi arritur së bashku. Këto kujtime do të më shoqërojnë përjetë,” përfundoi ai.










