PSG u mposht 3–1 nga Rennes në një mbrëmje për t’u harruar, pak ditë para përballjes vendimtare dhe me tension të shtuar në kampionatin francez. Parizienët nuk janë mësuar të humbasin në Ligue 1, aq më pak të pësojnë tre gola në një ndeshje të vetme—sidomos ndaj një skuadre që po kalon krizë dhe po drejtohet nga një trajner i përkohshëm.
Kjo disfatë është një tjetër sinjal alarmi për ekipin e Luis Enrique, i cili mund të humbasë vendin e parë që nesër nëse Lens fiton. E sikur të mos mjaftonte, të martën PSG udhëton drejt Monacos për ndeshjen në Champions League, në një moment ku besimi dhe qetësia duket se janë tronditur.
Rennes e priti kampionin me guxim dhe e luajti ndeshjen “sy më sy”, duke e shtyrë PSG-në në limit. Parizienët u dukën të bllokuar, pa ide dhe pa rrugëdalje, ndërsa vendasit fitonin terren me kalimin e minutave. Në qendër të gjithçkaje ishte Al-Tamari, i quajtur nga shumëkush “Messi jordanez”, një makth i vazhdueshëm për Nuno Mendes. Pikërisht ai zhbllokoi rezultatin para pushimit me një goditje të fuqishme dhe të pandalshme me të majtën.
Pas pjesës së parë, oguri i keq u bë realitet: Lepaul shënoi me kokë pas një goditjeje nga këndi për 2–0, duke e vënë PSG-në në një situatë kritike. Megjithatë, skuadra reagoi—Dembélé, që numëron shtatë gola që nga janari, ngushtoi diferencën dhe i dha shpresë rikthimit.
Por rikthimi nuk u kompletua. PSG shpërdoroi rastet për barazim dhe Rennes e ndëshkoi në kundërsulm: Embolo realizoi golin e tretë, duke vulosur një humbje që cilësohet ndër më të dhimbshmet të Luis Enrique në Francë.










