Një shqiptar i arratisur në Britaninë e Madhe u arrestua për llogari të autoriteteve të drejtësisë në Itali. Mediat vendase bëjnë të ditur se shqiptari akuzohej si pjesë e një organizate narkotrafiku shqipfolëse, për të cilën ishin lëshuar dhe ekzekutuar disa urdhra arresti. Konkretisht grupi ishte i përfshirë kryesisht në trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Perugia.
Gjithashtu operacioni u përqendrua në rajonin e Umbrias, kurse hetimet u shtrinë deri në Toskana. Përgjimet dhe hetimet me metoda proaktive çuan agjentët deri tek baza e organizatës, ku u gjetën sasi të konsiderueshme droge. Grupi në fjalë drejtonte edhe një biznes ‘të lulëzuar’ të shitjes me pakicë të kokainës pranë një ndërtese në periferi të Perugia.
Ndërkohë Prokuroria aprovoi urdhrat e arrestit mbi bazën e provave dhe gjykata i miratoi. Sipas mediave të huaja një nga anëtarët e grupit, i ishte shmangur ekzekutimit të urdhrit. Por vendndodhja e tij u bë e mundur falë zgjerimit të kërkimit në nivel ndërkombëtar, të promovuar nga Prokuroria e Përgjithshme në Gjykatën e Apelit të Perugia, e cila aktivizoi kanalet e bashkëpunimit gjyqësor dhe policor përtej kufijve kombëtarë.
Pas ndërhyrjes së Shërbimit të Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar, subjekti u gjurmua dhe u arrestua në Mbretërinë e Bashkuar, më 25 mars 2025”. Pas gjurmimit dhe ndjekjes ai u kap për qëllime ekstradimi pak ditë më parë dhe autoritetet italiane kanë nisur procedurat.
Hetimet lejuan dokumentimin e metodave dhe orareve të furnizimit, pikave të shpërndarjes dhe lëvizjeve të filialeve në territor, duke konfirmuar natyrën e organizuar dhe transnacionale të shoqatës kriminale. Emri i të arratisurit nuk bëhet i ditur, për arsye që lidhen me hetimet në vazhdim, por burime hetimore konfirmojnë se ai është një nga drejtuesit kryesorë në menaxhimin e trafikut të kokainës mes Shqipërisë dhe Italisë.