Shtëpia e Bardhë ka kundërshtuar deklaratat e ish-drejtorit të antiterrorizmit, Joe Kent, duke theksuar se Irani përbënte një kërcënim të menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara.
Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, deklaroi në rrjetet sociale se Kent ka bërë “shumë pretendime të rreme” në letrën e tij të dorëheqjes, veçanërisht lidhur me vlerësimin e kërcënimit iranian.
Sipas saj, Donald Trump dispononte “prova të forta dhe bindëse” se Irani po përgatitej të sulmonte SHBA-në.
“Këto prova u mblodhën nga shumë burime dhe faktorë. Presidenti Trump nuk do të merrte kurrë vendimin për të vendosur asete ushtarake kundër një kundërshtari të huaj në një vakum”, u shpreh Leavitt.
Ajo shtoi se Iranit i ishte dhënë “çdo mundësi e mundshme” për të hequr dorë nga ambiciet bërthamore, përpara se të merrej vendimi për veprim ushtarak.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, një sulm i përbashkët me Izraelin synonte të zvogëlonte ndjeshëm rrezikun për jetët amerikane dhe të parandalonte një sulm të mundshëm nga Irani.
Këto deklarata vijnë pas dorëheqjes së Kent, i cili kishte argumentuar se nuk ekzistonte një kërcënim i menjëhershëm dhe kishte kundërshtuar ndërhyrjen ushtarake ndaj Iranit.











