Një tragjedi e rëndë ka goditur qytetin e Louisville, Kentucky, pas rrëzimit të një avioni mallrash të kompanisë UPS, duke shkaktuar të paktën 14 viktima dhe dëme të mëdha materiale.
Kryebashkiaku Craig Greenberg njoftoi të premten se është gjetur një tjetër trup i pajetë në vendin e ngjarjes, duke e rritur numrin e të vdekurve. Ai konfirmoi gjithashtu se nëntë persona mbeten të zhdukur, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë punën në terren.
Avioni, një McDonnell Douglas MD-11, me destinacion Hawain, u rrëzua menjëherë pas ngritjes të martën pasdite, duke shkaktuar shkatërrimin e disa ndërtesave përreth dhe një zjarr të fuqishëm që u deshën orë të tëra për t’u shuar.
Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) publikoi një video ajrore të zonës së rrëzimit, ku duken gërmadhat e djegura dhe përmasat e tmerrit që la pas aksidenti. Anëtari i NTSB, Todd Inman, deklaroi se po shqyrtohet historia e mirëmbajtjes së avionit dhe të dhënat e fluturimit, për të përcaktuar shkaqet e sakta të ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake, avioni kishte kaluar një kontroll të plotë teknik muajt e fundit, por rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Kryebashkiaku Greenberg u shpreh se qyteti është i tronditur dhe se prioritet mbetet gjetja e të zhdukurve dhe ndihma për familjet e viktimave. “Kjo është një ditë e errët për Louisville. Zemrat tona janë me të gjithë ata që kanë humbur të dashurit e tyre,” tha ai.
Hetimi pritet të zgjasë me javë, ndërsa autoritetet federale dhe lokale po punojnë së bashku për të zbardhur plotësisht shkakun e rrëzimit dhe për të përmirësuar standardet e sigurisë ajrore për të shmangur tragjedi të ngjashme në të ardhmen.









