Një aksident rrugor u regjistrua rreth orës 10:30 të ditës së sotme në aksin e rrugës kombëtare Peqin–Rrogozhinë. Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, dy automjete u përplasën mes tyre në fshatin Karinë të Peqinit.
Si pasojë e përplasjes së fortë, të dy mjetet pësuan dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa të paktën tre persona mbetën të plagosur. Të lënduarit u transportuan me autoambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e policisë dhe ekipet e urgjencës. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.










