Toptani Podcast, nën drejtimin e gazetarit dhe autores Ilda Lumani, vijon të sjellë rrëfime që prekin jetën njerëzore.
Në episodin më të fundit, pastor Akil Pano ndau një nga momentet më tragjike të jetës së tij: humbjen e papritur të babait, Kristoforit. Ngjarja ndodhi më 18 dhjetor 1991, në një ditë që pritej të shënonte një fillim të ri për familjen, pasi babai i tij po nisej drejt Greqisë për të punuar.
Teksa Akili dhe babai prisnin autobusin për udhëtimin, situata mori një kthesë dramatike. Babai i tij u rrëzua papritur para syve të tij. Akili u përpoq ta zgjonte, duke i folur me shpresë, por pa sukses. Njerëzit u mblodhën përreth për të ndihmuar dhe një prej tyre u prezantua si mjek.
Në përpjekje për të shpëtuar babanë, Akili vrapoi drejt poliklinikës për të thirrur ambulancën, duke u detyruar ta linte për pak çaste vetëm. Kur u kthye, situata ishte edhe më e rëndë. Nëna e tij kishte mbërritur për t’i dhënë lamtumirën bashkëshortit, ndërsa Akili përpiqej ta qetësonte mes kaosit dhe dhimbjes.
Rrëfimi i Akil Panos nxjerr në pah brishtësinë e jetës dhe sakrificat e mëdha të prindërve, veçanërisht në vitet e vështira të emigracionit shqiptar.










