Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka kryer 19 kontrolle për zyrtarë e biznesmenë lidhur me dosjen e abuzimit me tenderët e rrugëve. Kontrolle të reja janë kryer lidhur me çështjen që lidhen me zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe disa bashkëpunëtorë të saj. Mes personave që u janë kontrolluar banesat dhe ambientet e punës por edhe të banimit të drejtuesve të kompanive ndërtuese.
Mësohet se është kontrolluar banesa e Viola Haxhiademi, ish sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtore e KESH-it, banesa e Gentian Gjyli ish drejtor i ARRSH-së, i pandehur dhe në arrest shtëpie, banesa e Erald Elezi, ish drejtori i KESH-it, i pandehur dhe në arrest shtëpie si dhe banesa e Sajmir Kuçit, Marsel Hoxhës, Jonida Çeços dhe Sindi Dushkut.
Gjithashtu janë ushtruar kontrolle ndaj Ilir Shtufit, pronar i “Nova Construction – 2012” shpk, një prej 3 operatorëve që fitoi tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë. Si dhe tek biznesmenët Bashkim Ulaj dhe Rrok Gjoka.
Mësohet se gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente dhe pajisje kompjuterike, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertimit nga organet e drejtësisë.










