Kryeministri Edi Rama gjatë emisionit “Opinion” u pyet për ishullin e Sazanit konkretisht për pretendimin e mediave italiane që thanë gjatë verës se ishulli i është shitur Jared Kushner-it.
Ai tha se qeveria shqiptare do të jetë partnere me grupin që do të investojë aty duke mohuar shitjen e tij.
“Ishulli i Sazanit është pasuri e shtetit dhe e popullit shqiptar. As nuk është shitur dhe as nuk do të shitet asnjëherë. Ishulli i Sazanit është një pasuri e shtetit dhe e popullit shqiptar ku ne do të jemi partnerë. Qeveria shqiptare do të jetë partnere me kompaninë apo me grupin që do të investojë dhe negociatat e partneritetit nuk kanë mbaruar ende”.
I pyetur nëse marrëveshja për Sazanin do të kalojë në Kuvend, Rama u përgjigj: Padiskutim.
Ai shtoi se si Sazani dhe Zvërneci janë ende në projektim, duke theksuar se marrëveshja për ishullin e Sazanit nuk është përfunduar ende.