TIRANË- Zbulohet në kryeqytet një bazë ku ishte fshehur një arsenal armësh të dyshuara të trafikuara.
Sektori i krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 finalizuan operacionin “The Van”, në kuadër të të cilit u sekuestuarn 23 armë zjarri (5 prej tyre me snajper), 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, paisje për bllokimin e valëve, uniforma si të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në pranga është vënë një 34-vjeçar, i cili dyshohet se posedonte armët.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
“Në kuadër të operacionit “The Van”, u arrestuar 34-vjeçari Eugert Sino, banues në Tiranë si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas, gjeneralitet e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimit”, njofton policia.
Gjatë operacionit, në rrugën “Myslym Shyri”, gjatë kontrollit në furgonin e Sinos u gjetën:
-12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
-6 armë zjarri automatike;
-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);
-1 silenciator;
-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;
-pjesë të ndryshme armësh zjarri;
-15 000 fishekë;
-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;
-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;
-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);
-pajisje për bllokimin e valëve;
-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;
-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së arsenalit të armëve dhe të pajisjeve të sekuestruara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.










