Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka informuar se ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin amerikan Donald Trump për ditën e dytë radhazi, duke e cilësuar sipas tij si “shumë produktive”. Bisedat janë përqendruar në çështje të rëndësishme për Ukrainën, duke përfshirë mbrojtjen, përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi si raketat Tomahawk, dhe nevojat energjetike të vendit.
Zelenskyy ka kërkuar nga Trump që të luajë një rol ndërmjetësues për paqen në Ukrainë, duke theksuar se ngjashëm si janë bërë përpjekje për paqe në Lindjen e Mesme, Rusia po përfiton nga vëmendja e botës ndaj konflikteve në atë rajon dhe ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës. Në këtë kontekst, Rusia ka vazhduar ofesniven ajrore për të shkatërruar infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke bombarduar kryesisht qytete si Odessa, Donetsk dhe Çernihiv.
Gjatë natës së fundit, forcat ruse kanë lëshuar 118 dronë, duke shkaktuar shtatë viktima dhe plagosjen e 23 personave. Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në rrjetin energjetik të Kievit, ku dy punonjës të kompanisë DTEK u plagosën. Zelenskyy ka paralajmëruar se Rusia po synon të godasë sektorin energjetik në prag të dimrit, duke e përshkruar këtë si një formë terrori ajror. Vetëm në javën e kaluar, Ukraina përballet me një numër alarmant sulmesh: mbi 3,100 dronë, 92 raketa dhe rreth 1,360 bomba të lëshuara nga Rusia.
Presidenti ukrainas ka apeluar për vazhdimin e sanksioneve ndaj Moskës, si dhe për tarifat dhe veprimet ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë ruse, duke theksuar se kjo është e nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e agresionit rus. Ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten, kërkesa për mbështetje ndërkombëtare për Ukrainën është bërë më e ngutshme se kurrë.










