Sulmuesi brazilian i Real Madridit, Rodrygo Goes, foli për gazetën AS gjatë grumbullimit me kombëtaren e Brazilit në Seul, ku u ribashkua me trajnerin Carlo Ancelotti, tashmë në krye të “Seleçaos”. Ai tha se është mirënjohës për jetën dhe karrierën e tij, duke pranuar se po kalon një periudhë të qetë dhe të pjekur si lojtar dhe si njeri.
Rodrygo tregoi se Ancelotti ka sjellë entuziazëm të madh në kombëtare dhe është i bindur se Brazili mund të rikthehet në majat e futbollit botëror nën drejtimin e tij. “Carletto na ka dhënë besim. Ai e njeh mirë lojtarin brazilian dhe po rikthen gëzimin në ekip,” tha sulmuesi, që aktualisht mban fanellën me numrin 10 për shkak të mungesës së Neymarit.
Lojtari kujtoi gjithashtu fillimet e tij me Real Madridin, duke zbuluar se para se të firmoste për “Los Blancos” kishte një marrëveshje me Barcelonën, por ndryshoi mendje sapo mori thirrjen nga Madridi: “Ishte e lehtë për mua — Madrid ishte ëndrra ime.”
Rodrygo foli me emocione për debutimin e tij në Bernabéu, kur shënoi gol në 91 sekonda ndaj Osasunës, dhe për hat-trickun e famshëm në Champions ndaj Galatasarayt, që e bëri të kuptonte lidhjen e tij të veçantë me këtë kompeticion. Ai përshkroi me detaje natën magjike kundër Manchester Cityt, kur shënoi dy gola në dy minuta për ta çuar ndeshjen në shtesë: “Ishte dita më e lumtur e jetës sime.”
Lojtari rrëfeu edhe një periudhë të vështirë personale gjatë sezonit të kaluar, ku pranoi se nuk ishte mirë as fizikisht e as mendërisht. “Ancelotti e kuptoi që kisha nevojë të rikuperohesha si person para se të rikthehesha si futbollist. Ai dhe familja më ndihmuan shumë,” tha Rodrygo, duke falënderuar trajnerin dhe të birin e tij, Davide.
Tani, 24-vjeçari thotë se ndihet më i pjekur, më i motivuar dhe më i lumtur se kurrë. Ai hodhi poshtë zërat për një largim të mundshëm nga Madridi, duke theksuar se dëshiron të qëndrojë deri sa klubi ta dojë: “Kam fituar shumë, por dua edhe më shumë Champions me Realin.”
Duke folur për aktualitetin, Rodrygo pranoi se El Clásico i ardhshëm kundër Barcelonës në Bernabéu është një sfidë që nuk duhet humbur: “E dimë që vitin e kaluar nuk ishim në nivelin e duhur, por këtë herë do të japim gjithçka. Duhet ta fitojmë, jemi në shtëpinë tonë.”
Ai lavdëroi bashkëlojtarin Kylian Mbappé, duke e quajtur “një fenomen që të kujton Cristiano Ronaldon”, dhe tha se është kënaqësi të luash me të. Për fund, foli me respekt për ish-shokun e tij Luka Modric, të cilin e quajti “një shembull mentaliteti dhe profesionalizmi që nuk plaket kurrë.”
“Jam gati për një sezon të madh,” përfundoi Rodrygo. “Dua të fitoj gjithçka me Real Madridin dhe ëndërroj të ngre Kupën e Botës me Brazilin.”











