Personi që shihni në foton e mësipërme është 30-vjeçari Elvis Shkambi nga Shkodra, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Përgjithshme të Apelit.
Ai qëlloi me 3 plumba drejt gjyqtarit, dy prej tyre në gjoks dhe një një bark, ndërsa magjistrati ndërroi jetë rrugës për në Spitalin e Traumës, ku dhe u konstatua vdekja e tij.
Si pasojë e të shtënave mbetën të plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, palë kundërshtare në gjyq me Shkambin. Njëri prej tyre, i është nënshtruar një operacioni, por mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën
Elvis Shkambi kreu krimin, pasi xhaxhai i tij Gjon Shkambi humbi gjyqin për një godinë në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, ku janë të strehuar 31 familje.
Familja Shkambi pretendon pronësinë mbi atë godinë, teksa gjyqi i sotëm kishte të bënte me një seancë për masat administrative të vendosura nga përmbaruesi, ku 31 familjet duhet të paguanin nga 500 mijë lekë të vjetra për shkak se nuk kishin liruar godinën, por kanë arritur ta fitojnë gjyqin edhe në shkallën e dytë të gjyqësorit.
Pas krimit, autori i dorëzoi armën oficerit të sigurisë në Gjykatën e Apelit dhe më pas doli nga Gjykata dhe iu dorëzua edhe vetë Policisë, pa bërë asnjë rezistencë, duke u shprehur “unë jam autori”. Në dëshminë paraprake të dhënë për grupin hetimor, Elvis Shkambi ka deklaruar se nuk kishte zgjidhje tjeterë, pasi e humbi gjyqin.
Nuk dihet se si 30-vjeçari ka arritur të futë armën e zjarrit pistoletë brenda sallës së gjyqit, teksa Policia ka ndaluar oficerin e sigurisë së Gjykatës së Apelit, i cili konsiderohet si përgjegjës për skanerin e sigurisë në hyrjen e institucionit të drejtësisë.










