Shërbimit Kombëtar i Urgjencës (EKAV), ka bërë një deklaratë lidhur me gjendjen shëndetësore të Pano Rucit, babait të Denis Rucit, një prej viktimave në tragjedinë hekurudhore të Tempit në Greqi. Sipas deklaratës së EKAV, gjendja e Pano Rucit është përkeqësuar dhe ka refuzoi t’i nënshtrohej ekzaminimeve mjekësore dhe analizave laboratorike. Ai ndodhet në ditën e 17-të të grevës së urisë, duke kërkuar realizimin e zhvarrosjes së trupit të të birit.
Një grup mjekësh i kanë bërë thirrje autoriteteve të ndërhyjnë për të mos lejuar dëmtime të pakthyeshme në shëndetin e tij. Sipas mjekëve, pesha trupore e Rucit është më e ulët se sa pritej për një person në grevë urie për 17 ditë. Gjithashtu edhe policia e ka konfirmuar përkeqësimin e gjendjes së tij me një deklaratë të bërë publike pasditen e të martës më 1 tetor.
EKAV sqaroi gjithashtu se, pas një pauze të shkurtër në një hotel ku qëndroi për disa orë gjatë mëngjesit, Pano Ruci është kthyer sërish në sheshin Sintagma, për të vijuar grevën. Sipas mjekëve të tij, Pano Ruci vuan prej sëmundjesh kronike, aktualisht përballet me hipotension ortostatik, hipoglicemi, dobësi kardiake dhe një sistem imunitar shumë të dobët, çka e bën tepër të rrezikuar nga infeksione të menjëhershme.
“Që nga fillimi i grevës së urisë në Syntagma, EKAB ka siguruar gatishmërinë e saj operacionale me një prani të vazhdueshme të ekipeve të ambulancës ose motoçikletave të Ekipit të Ndërhyrjes së Menjëhershme, siç është parashikuar edhe për qendrën e Athinës.
Shpëtuesit e EKAB monitorojnë gjendjen shëndetësore të grevistit të urisë çdo ditë dhe në intervale të rregullta duke kontrolluar shenjat jetësore dhe pamjen klinike, duke theksuar vazhdimisht domosdoshmërinë e kontrolleve të rregullta mjekësore dhe laboratorike për të siguruar shëndetin e tij.
Megjithatë, deri më sot ai nuk ka pranuar t’i nënshtrohet testeve të tilla, gjë që e bën edhe më të vështirë monitorimin dhe përgatitjen për transferimin e tij të menjëhershëm dhe të sigurt në spital, nëse kjo bëhet e nevojshme. Vërehet se pas kthimit të tij nga hoteli këtë pasdite, ai u vizitua nga një ekip i EKAB dhe përsëri refuzoi çdo kujdes mjekësor,” thuhet në deklaratën e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës.











