Pas një sulmi kibernetik të ndodhur të shtunën, pasagjerët në disa nga aeroportet kryesore të Europës po përballen me vështirësi në fluturime këtë të diel. Aeroporti i Brukselit ka njoftuar se gjysma e fluturimeve të planifikuara për sot do të anulohen për shkak të nevojës për të menaxhuar sistemin e regjistrimit elektronik, i cili ka pësuar ndërprerje. Një zëdhënës i aeroportit tha se linjat ajrore janë nxitur të reduktojnë fluturimet për të shmangur radhët e gjata.
Një ndikim të ngjashëm ka pësuar edhe Aeroporti Heathrow në Londër, ku fluturimet janë vonuar për shkak të një “problemi teknik”. Po ashtu, Aeroporti Brandenburg në Berlin po përballet me vonesa dhe pritje të gjata. Kompania RTX, e cila zotëron sistemin Muse që ka pësuar sulmin, konfirmoi se ka ndodhur një ndërprerje e shkaktuar nga një goditje kibernetike që ka prekur disa aeroporte specifike.
Në Heathrow, British Airways kishte kaluar në një sistem rezervë dhe po operonte normalisht, por shumica e linjave të tjera ajrore u preken rëndë. Administrata e aeroportit paralajmëroi për vonesa të mëtejshme, ndërsa përpjekjet për të rikthyer sistemin janë duke vazhduar. Komisioni Evropian po monitoron situatën, por aktualisht nuk ka prova për një kërcënim të mëtejmë më të gjerë.
Sipas platformës FlightAware, qindra fluturime janë vonuar në të gjithë Europën. Aeroportet në Irlandë, si Dublini dhe Corku, kanë raportuar ndikime të vogla, ndërsa disa linja ajrore, duke përfshirë EasyJet dhe Ryanair, po operojnë normalisht pasi nuk shfrytëzojnë sistemet e prekura në Heathrow. Megjithatë, në Aeroportin e Dublinit, një incident sigurie ndodhi duke evakuuar Terminalin 2 për shkak të alarmeve për bagazhe të dyshimta që më vonë rezultuan të ishin të padëmshme.
Analistët e sigurisë kibernetike nënvizojnë se ky incident dëshmon dobësinë e industrisë së aviacionit ndaj sulmeve të kësaj natyre. Edhe pse ekzistojnë dyshime për hakerë të lidhur me Moskën, ekspertët theksojnë se shumë nga sulmet e fundit janë kryer nga grupe kriminale për përfitime financiare. Hetimet për këtë sulm janë ende në zhvillim e sipër.