74.6% e banorëve që jetojnë në qytetet e Shqipërisë kanë aftësi për të kërkuar, gjykuar dhe organizuar informacionin digjital (information and data literacy skills), përqindje që bie në 69.7% për ata që jetojnë në periferi dhe arrin në nivelin më të ulët, 62.2%, për banorët e zonave rurale.
Diferenca prej mbi 12 pikë përqindje mes qytetit dhe fshatit tregon qartë hendekun urban-rural në aksesin dhe përdorimin e teknologjisë.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, mesatarja e BE-së për individët me të paktën aftësi bazë për informacionin dhe të dhënat arrin në 85.4% në qytete, 80.4% në periferi dhe 77.6% në zona rurale. Në krahasim me nivelin e BE-së, vendi ynë ndodhet dukshëm nën mesataren në të treja kategoritë, ndërsa për vendet e rajonit nuk ka të dhëna.
Në vitin 2023, 85.4% e personave të moshës 16–74 vjeç që jetonin në qytetet e BE-së kishin të paktën aftësi bazë në përdorimin e informacionit dhe të dhënave. Ky nivel ishte pak më i ulët për ata që jetonin në qytete të vogla dhe periferi (80.4%) dhe në zona rurale (77.6%).
Të dhënat tregojnë se në 22 vende të BE-së, përqindjet më të larta të personave me të paktën aftësi bazë për informacion, kuptimin dhe përdorimin e të dhënave janë regjistruar në qytete. Megjithatë, në 4 vende, përqindjet më të larta janë regjistruar për ata që jetojnë në qytete të vogla dhe periferi – në Danimarkë (95.9% e popullsisë), Irlandë (94.4%), Qipro (90.4%) dhe Belgjikë (89.4%) – ndërsa në rastin e Maltës, përqindja më e lartë është regjistruar në zonat rurale (91.6%, me besueshmëri të ulët).
Ndër vendet e BE-së, Holanda ka regjistruar përqindjet më të larta të personave me të paktën aftësi bazë për informacion dhe lexim të të dhënave në të tre nivelet e urbanizimit: 97.7% e banorëve të qyteteve, 97.4% e atyre që jetojnë në qytete të vogla dhe 97.1% në zona rurale.
Përveç Holandës, Finlanda (97.7%) dhe Danimarka (95.8%) kanë regjistruar gjithashtu përqindjet më të larta të banorëve të qyteteve me të paktën aftësi bazë për informacion dhe lexim të të dhënave. Nivelet më të ulëta janë regjistruar në Gjermani (77.5%), Bullgari (78.0%) dhe Itali (78.2%).
Bullgaria (66.3%), Rumania (71.7%) dhe Gjermania (72.5%) regjistruan përqindjet më të ulëta të personave me të paktën aftësi bazë për informacion, lexim, kuptimin dhe përdorimin e të dhënave digjitale, jo vetëm në qytete të vogla dhe periferi, por edhe në zonat rurale (përkatësisht 57.7%, 64.9% dhe 71.2%).
Treguesi “information and data literacy skills” është një nën-dimension i Digital Skills Indicator (DSI) që mat aftësitë e individëve për të kërkuar, gjykuar dhe organizuar informacionin digjital. Ai vlerësohet përmes aktiviteteve konkrete në internet apo softëare, ku kryerja e një aktiviteti tregon aftësi bazë, ndërsa më shumë aktivitete tregojnë aftësi mbi bazë. Ky tregues është pjesë e politikave digjitale të BE-së dhe ndihmon në monitorimin e objektivave për rritjen e aftësive digjitale të qytetarëve deri në vitin 2025 dhe 2030./Monitor.al