23-vjeçari Kevin Norra që u përplas me mjetin e dy motrave që humbën jetë në aksidentin tragjik në Sarandë mësohet se punon si specialist në Ministrinë e Brendshme. Ai ka qenë dukë lëvizur me shpejtësi, kur ka kryer një parakalim të gabuar dhe i ka dalë përballë mjetit me të cilin po lëviznin dy motrat duke u përplasur kokë më kokë. Si pasojë, Rozina dhe Elvisa Dhimaku humbën jetën.
Si ndodhi ngjarja
Dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku, 22 dhe 20 vjeçe, po udhëtonin nga Delvina në drejtim të Sarandës kur 23-vjeçari Kevin Norra u doli përballë në korsinë e tyre dhe u përplasën ‘kokë më kokë’. Aksidenti rezultoi fatal për dy motrat, të cilat humbën jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa pasagjerja 24-vjeçare Antonela Zhupa është jashtë rrezikut për jetën.
I riu Kevin Norra, me një mjet tip Audi, po udhëtonte nga Saranda në drejtim të Gjirokastrës kur u përfshi në aksidentin e rëndë në aksin Delvinë-Sarandë mbrëmjen e 24 gushtit. 23-vjeçari ka rezultuar i dehur në timon dhe për këtë arsye blutë e qytetit bregdetar tashmë e kanë vënë në pranga dhe akuzohet për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Policia e Sarandës informoi se testi i parë i alkoolit rezultoi në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l.
“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, njoftoi Policia e Sarandës.