Dy personat e shpallur në kërkim nga policia për stampimin me logo false të veshjeve të kontrabanduara janë vënë në pranga.
Të arrestuarit janë Lindion Haka dhe shtetasi turk i identifikuar si Ozkan Sulun. Ky i fundit koordinonte procesin e stampimit, ndërsa Haka ishte bashkadministrator i njërës prej magazinave ku kryhej procesi.
NJOFTIMI I POLICISË:
Policia e Shtetit
Vijon operacioni policor i koduar “Fake Star 5”.
Lokalizohen dhe kapen të 2 shtetasit e shpallur në kërkim.
Njëri prej tyre, shtetas turk që koordinonte procesin e stampimit me logo false të veshjeve të kontrabanduara.
I ndaluari tjetër, bashkadministrator i njërës prej magazinave ku kryhej procesi.
Dje, gjatë operacionit, u vunë në pranga 4 shtetas dhe u proceduan në gjendje të lirë 4 të tjerë.
Si rezultat i kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, në vijim të operacionit “Fake Star 5”, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin turk O. S., 46 vjeç, si dhe shtetasin L. H., 21 vjeç.
Ata ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Fake Star 5”, sepse dyshohet se janë përfshirë në veprimtaritë kriminale të magazinimit në 2 ambiente në fshatin Brrar, të veshjeve të kontrabanduara, të cilave iu stampoheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Një ditë më parë në kuadër të operacionit të koduar “Fake Star 5” u zbuluan në fshatin Brrar dy magazina ku zhvillohej stampimi me logo false të markave të njohura ndërkombëtare veshjeve që ishin të kontrabanduara. Dje u vunë në pranga Luan Haka, Ali Bushati Xhuljo Lecaj dhe Arjan Hida.
Dy magazinat ishin të pajisura me linja makinerish për qepje, printim dhe stampim me logo false, të markave të njohura ndërkombëtare, të veshjeve dhe aksesorëve të dyshuar të kontrabanduar. Policia sekuestroi sasi të mëdha veshjesh, dhjetëra makineri qepjeje, printimi ose stampimi, logo të markave të njohura ndërkombëtare, 6 dokumente të shtetasit turk, një shumë lekësh, njësi kompjuterike, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.