Emisioni “Plug”
Sot emisioni “Plug” do të jetë “Publiçitar”! Do të udhëtojmë në Tepelenë, nga ku na vijnë indiciet se skema 5D apo 5B, është zbatuar në perfeksion nga kryebashkiaku Tërmet Peçi. Bëhet fjalë për mbi 18 milionë euro që janë marrë nga fondet publike nëpërmjet një kompanie të regjistruar në emër të bashkëshortes së drejtorit të Tërmet Peçit. Shuma shkon në 66 milionë euro nëse do të llogarisim edhe tenderat që kjo kompani ka përfituar në koperim me operatorë të tjerë. Por jo vetëm kaq, tentakulat e Tërmet Peçit kanë qenë të zgjatura edhe tek fondet e bujqësisë, ku miliona euro në vend të shkonin te fermerët, kanë shkuar në kontot e Tërmet Peçit dhe njerëzve pranë tij!
Nëse keni menduar se skema të tilla si 5D apo 5B janë projekte vetëm të Tiranës nga Erion Veliaj apo Belinda Balluku, gaboheni. Një tjetër skemë abuzimi “Publiçitare”, me tenderët dhe fondet publike është ngritur në Bashkinë Tepelenë, e drejtuar që nga viti 2011 nga kryetari Tërmet Peçi.
Kompania e drejtorit të Tërmet Peçit, 66 milionë euro tendera/ Aferat e Bashkisë Tepelenë
Por si funksionon kjo skemë dhe kush fshihet pas saj? Emisioni Plug investigoi se si një kompani e themeluar nga gruaja e një zyrtari të lartë të Bashkisë Tepelenë arrin të përfitojë rreth 1.782 miliardë lekë ose rreth 18 milionë euro nga buxheti i shtetit në harkun kohor 2019-2025, duke shkaktuar tërmet “publiçitar në financat publike”, të cilat tashmë duket se do të përdoren për tërmetin e premtuar nga kryebashkiaku Peçi në zgjedhjet e 2025.
Në vitin 2015, pas fitores së zgjedhjeve lokale, kryetari i Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, punëson Lorenc Bamin në Drejtorinë e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit. Lorenc Bami bëhet firmëtari i shumë lejeve të ndërtimit, fondeve dhe pronave të dhëna nga Bashkia Tepelenë. Por, një vit pasi mori këtë post, gruaja e tij, Aleksandra Bami, në bashkëpunim me shtetasin Hekuran Hoxha, krijojnë kompaninë NG STRUCTURES shpk. Në nëntor 2017, Hekuran Hoxha shet 50% të aksioneve të kompanisë djalit të tij, Fatjon Hoxha, për një shumë qesharake prej vetëm 500 eurosh.
Deri në fund të vitit 2017, kompania faturon 11 milion lekë dhe deklaron një fitim prej 600,000 lekë. Një vit më vonë, faturimet e saj rriten 8 herë, duke u lidhur drejtpërdrejt me tenderët e fituar nga Bashkia Poliçan dhe Bashkia Gjirokastër. Kjo rritje galopante e financave të kompanisë të sapokrijuar lidhet drejtëpërsëdrejti me thithjen e fondeve publike, pasi në vitin 2018, nga investigimi rezulton se NG STRUCTURES hap 3 adresa sekondare, të cilat lidhen me projekte të financuara nga fondet publike:
- Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Refat Keli” në Poliçan
- Rikonstruksioni i shkollës “Asim Zeneli” dhe sistemimi i jashtëm në Gjirokastër
- Masa inxhinierike për rrëshqitjen në kodrën e Shtufit, Gjirokastër
Në maj të vitit 2019 Aleksandra Bami shet aksionet shtetastit Fatjon Hoxha. Sipas kontratës Aleksandra Bami do të përfitojë fitimin 5.8 milion lekë të vitit 2018 dhe 19.1 milion lekë si fitim për periudhën janar-prill 2019. Në total nga shitja e aksioneve Aleksandra Bami do të përfitojë shumën bruto 24.9 milion lekë ose thënë ndryshe rreth 240.000 euro.
Por skema vazhdon, 23 ditë pas blerjes, Fatjon Hoxha i shet sërish aksionet babait të tij, Hekuran Hoxha, për vetëm 1,000 euro.
Në nenin 4 të kontratës jepen detaje dhe për detyrimet që kompania ka ndaj Aleksandra Bamit.
Neni 4
Dispozita të përgjithshme
4.1 Blerësi eshte në dijeni të plotë të detyrimeve të shoqërisë ndaj palëve të treta sipas Pasqyrave financiare të vitit 20l7 ,2018 dhe periudhës së ndërmjetme 01 janar 2019 – 30 prill 2019 (të reflektuara në QKB). Gjithashtu të vlerës së dividentit prej 11’689’100 (njembedhjete milion e gjashteqind e tetëdhjetë e nëntëmije e njëqind) lekë të cilën duhet ta likuidoje brenda datës 30.07.2019 referuar vendimit të Asamblese së Përgiithshme nr.11 datë 01 Maj 2019…
Pra edhe në këtë kontratë specifikohen detyrimet që kanë kundrejt ortakes Aleksandra Bami.
Në vitin 2019, kompania faturon 119 milion lekë dhe përfiton 10 milion lekë fitim. Në dhjetor 2020, Hekuran Hoxha shpërndan 27 milion lekë dividend nga fitimi i kompanisë për vitin 2020. Ky veprim financiar nuk është i zakonshëm dhe arsyeja e tij zbulohet vetëm 2 muaj më pas.
Më 22 mars 2021, Aleksandra Bami, Hekuran Hoxha dhe Fatjon Hoxha firmosin një tjetër Deklaratë Noteriale, ku Aleksandra Bami deklaron se nuk ka më asnjë pretendim financiar ndaj Fatjon dhe Hekuran Hoxhës.
Aleksandra Bami
Unë e nenshkruara Aleksandra Bami nën përgjegjësinë time personale, duke njohur dhe pasojat që parashikon ligji për deklaratë të rreme, referuar vendimit të Asamblesë së Përgjithshmë të shoqërisë NG STRUCTURES nr.11 datë 01.05.2019 dhe Deklaratës Noteriale nr. 2953 Rep Nr. 507 Kol, datë 09.05.2019… deklaroj se për periudhën pas datës 30.07.2019 nuk kam asnjë pretendim financiar ndaj z.Fatjon dhe Hekuran Hoxha.
Bashkëlidhur kësaj Deklarate Noteriale gjendet dhe Deklarata e datës 09.05.2019 si dhe Vendimi i Asamblesë datë 01.05.2019 nga i cili përftojmë të dhëna të rëndësishme për investigimin tonë. Sipas vendimit të asamblesë nr.11 datë 01.05.2019 Aleksandra Bami nga shitja e aksioneve do të përfitonte:
VENDIMI I ASAMBLESË
5.“Të miratojë transferimin e kuotës së ortakes Aleksandra Bami …ortakut Fatjon Hoxha në këmbim të tërheqjes së fitimit të akumuluar në shumën 5.8 milion lekë nga fitimet e vitit 2018 dhe shumën 19.1 milion lekë nga fitimi I periudhës janar-prill 2019”
6.”Likuidimi i plotë I dividentit 23.004.900 lekë duhet të likuidohet nga shoqëria NG STRUCTURES në llogarinë personale të Aleksandra Bami”
11. “Në rast të mos likuidimit të shumës neto 23.004.900 lekë Brenda afatit 30 korrik 2019 Aleksandra Bami rimerr pozicionin e saj si administrator dhe kuotën e saj që përfaqëson 50% të kapitalit…”
Por të dhëna më të rëndësishme dhe më inkriminuese për Lorenc Bamin dhe Bashkinë e Tërmet Peçit përfitohen nga Deklarata noteriale e datës 09.05.2019, ku në skenë delë një tjetër kompani që përfiton fonde nga Bashkia dhe që shërben për transferimin e lekëve, kompani e cila rezulton e regjistruar në prestanome, pasi paratë përfundojnë në xhepin e Bamit. Në këtë dokument noterial Fatjon Hoxha deklaron:
FATJON HOXHA
Deklaroj se ditën e nesërme të punës pas likuidimit nga ana e shoqërisë IUMENTIS …përfaqësuar nga administrator Gjolek Shehu, fatura me vlerë 13.786.625 lekë në llogarinë e shoqërisë NG STRUCTURES do të transferohet në llogaritë bankare personale të Aleksandra Bamit
Sa thamë më sipër qartësohet se Bami nga kjo kompani do të përfitonte të gjithë të ardhurat që kjo shoqëri ka krijuar në dy vite por mbi të gjitha qartësohet se kush është një nga klientët privat të kësaj shoqërie përveç Bashkive Poliçan e Gjirokastër. IMUMENTIS shpk është klienti i NG STRUCTURES që inkriminon Drejtorin Bami por dhe Bashkinë Tepelenë, shkelje për të cilat do flasim në vijim të emisionit.
Rikthehemi te kompania NG STRUCTURES e cila u themelua nga gruaja e Drejtorit të Bashkisë Tepelenë dhe një shtetas nga Berati për të cilin nuk gjenden të dhëna për CV e tij apo të babait pronarë të kompanisë. E themi këtë pasi kjo kompani direkt pas themelimit si shumë kompani të tjera të krijuara nga prestanome të zyrtarëve, biznes kryesor kanë tenderat dhe lejet e ndërtimit. NG STRUCTURES sipas të dhënave të opendata.al ka përfituar pagesa nga Buxheti i Shtetit për vitet 2019-2025 në vlerën 1.782 miliard ose rreth 18 milion euro.
Por shifra është disa herë më e madhe nëse do të mblidhnim të gjithë tenderat ku kjo kompani ka qenë pjesë e bashkimeve të operatorëve fitues të tenderit. Në total, janë përfituar 66 milionë euro tendera nga grupime operatorësh ku pjesë ka qenë kompania e bashkëshortes së drejtorit të Tërmet Peçit. Nëse do ti hedhim një sy rezulton se janë një seri tenderash me vlera të larta dhe flamuj të kuq çka ngre dyshime mbi mënyrën se si fondet publike janë dhënë në prokurime ku fituese ka qenë kompania NG STRUCTURES.
Në krye të listës qëndron bashkia e Tërmet Peçit, i cili i firmos tendera kompanisë së bashkëshortes së Drejtorit, që gjithashtu është firmëtar në procedurat tenderuese. Tërmeti i ka dhënë fonde gruas së drejtorit kryesisht për projekte si ndërtimi i vendparkimeve, furnizimi me matësa uji dhe rikonstruksioni i shkollave, me një vlerë të përgjithshme prej qindra miliona lekësh. Tenderët në Tepelenë nuk janë të vetmit që ngjallin dyshime, pasi kontrata të ngjashme janë dhënë edhe në Bashkinë Lezhë, Kavajë, Poliçan, Gjirokastër dhe Kamëz, për projekte që variojnë nga rikonstruksioni i shkollave e ujësjellësve, deri te rehabilitimi i infrastrukturës dhe ndërtimi i rrugëve.
Në listën e projekteve figurojnë kontrata me vlera të larta, si rindërtimi i 14 objekteve arsimore në Bashkinë Tiranë, për 302 milionë lekë, ndërtimi i ujësjellësit në fshatrat Pllanë në Lezhë, për 249 milionë lekë, apo ndërtimi i by-pass-it në qendrën historike të Gjirokastrës, me një vlerë prej 577 milionë lekësh, ndërtimi i rrugës Berat-Ballaban në vlerën 1.9 miliard lekë. Shumë prej këtyre tenderave mbajnë shënimin “flamur i kuq”, që tregon probleme në procesin e prokurimit publik, si mungesa e konkurrencës apo kritere të dyshimta që favorizojnë një kompani të caktuar.
Por le të mbetemi te faktet me të rënda që përbëjnë vepër penale, për të cilat SPAK duhet ta ketë një zgjidhje.
Sipas publikimeve në rrjetin Social Facebook të kësaj kompanie në shkurt të vitit 2019 janë disa projekte që mbajnë firmën e Tërmet Peçi për kompaninë e drejtorit të tij Lorenc Bami. Tërmeti që di gjithcka nuk e paska ditur se po paguante drejtorin e tij dhe në shkurt të vitit 2019 i jep drejtorit të tij fondet për Rikonceprimin e bllokut të banimit Batalioni Baba Abaz. Pak ditë më vonë, po në muajin shkurt 2019 reklamohet “Rruga Salari Dukaj, projekti financohet nga FSHZH, dhe projektin e bën gruaja e Drejtorit të Bashkizë Tepelene për Zhvillimin e Teritorrit. Një tjetër projekt, që po kompania e reklamon në rrjtetet sociale është Vazhdimi i shititores përgjatë Kalasë Loti II, Parku i lojrave Tepelan apo Projekt “Agroturizëm URLA”, projekt I bërë nga Gruaja dhe miratuar leje ndërtimi nga Burri ne vitin 2018 sipas të dhënave të KLSH. IUMENTIS, është një tjetër projekt i bërë nga Gruaja dhe leje e ndërtimit është miratuar nga Burri, po sipas të dhënave të KLSH.
Për më tepër në një nga postimet e kësaj kompani për tenderin e fituar në Bashkisë Gjirokastër shfaqet në zbatimin e punimeve Kryetarja e Bashkisë Gjirokastër dhe Lorenc Bami Drejtori i Tërmetit që ligjerisht nuk mbante asnjë funksion në NG STRUCTURES, por që me këtë prezencë konfirmon dyshimin e ngritur që në krye të herës, se kush janë pronarët real të kësaj kompanie.
18 milionë euro të marra drejtëpërsëdrejti, nga tenderat dhe fondet publike nëpërmjet kompanisë NG STRUCTURES dhe 66 milionë euro të tjera, ku kjo kompani ka pjesën takuese. Nëse për SPAK është bezdisëse fakti që burri i firmos tendera gruas, mund të veproj, në të kundërt mund të duartorkasë aktivitetin ‘publiçitar’.
Tërmet Peçi “futi duart” te fondet IPARD, 750 mijë euro për thertore
Por jo vetëm kaq, në vijim do t’ju tregojmë se tenderat nuk kanë qenë aktiviteti i vetëm ku Tërmet Peçi apo drejtori i tij ka shkëlqyer. Fondet e bujqësisë, tashmë të bllokuara nga BE kanë qenë të lakmuara nga Tërmeti, ku bashkë me abuzimin me fondet, i janë bashkangjitur edhe abuzimi me mijra metra katrorë toke shtetërore që u janë dhënë familjarëve apo njerëzve të lidhur me ta.
Në datën 10.01.2019, shtetasi Gjolek Shehu themeloi kompaninë IUMENTIS shpk. Menjëherë pas themelimit, kjo kompani lidh një kontratë qiraje për një pronë publike me Bashkinë Tepelenë. Ky veprim u bë me propozimin e Tërmet Peçit, kryebashkiakut të Tepelenës.
Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak të Tepelenës, datë 25.01.2019, lidhja e kontratës noteriale “Kontratë Qiraje” është miratuar, dhe kjo kontratë mban firmën e Lorenc Bamit, personazhi kryesor i këtij investigimi që duket se lëviz milionat e siguruara për Tërmetin e premtuar nga kryebashkiaku Peçi.
Për më tepër, brenda 5 ditësh nga lidhja e kontratës, Tërmet Peçi dhe Lorenc Bami miratojnë lejen e ndërtimit për ndërtimin e një Thertoreje Rajonale nga kompania IUMENTIS. Ky fakt është audituar nga KLSH (Kontrolli i Lartë i Shtetit) dhe është dokumentuar në një raport zyrtar.
Në mars të vitit 2019, kompania IUMENTIS lidh një kontratë me subjektin NG STRUCTURES, kompani e drejtuar nga gruaja e Lorenc Bamit. Ky subjekt lëshon një faturë prej 140.000 eurosh për projektimin e Thertores Rajonale, një shërbim që kompania e Lorenc Bamit e realizon për llogari të IUMENTIS. Kjo fature është zbuluar nga postimet e Aleksandra Bamit në rrjetet sociale, ku ajo publikoi foto të projektit dhe emrin e kompanisë.
Në tetor të vitit 2019, kompania IUMENTIS aplikon dhe miratohet për një fond prej 758.000 eurosh nga fondet IPARD. Ky fond u miratua për ndihmën e zhvillimit të Thertores Rajonale në Tepelenë, një proces që ka tërhequr vëmendjen për përfitimin e fondeve publike në mënyrë të dyshimtë. Madje dyshimet u ngriten edhe me shume gjate inspektimit nga vetë kryeministri EdI Rama, i cili teksa pyet Frida Krifcën dhe Tërmet Peçin se kush e përfitoi këtë investim, dy zyrtarët pasi ngecin, në përgjigje, shprehen se pronari nuk është këtu për momentin.
Në vitin 2021 kjo kompani dhe pse tashme ishte në aktivitet të plotë kishte vetëm 4 të punësuar. Gjolek Shehu Administrator, Myrto Tafilaj Veteriner, Aldo Shehu Shef sektori dhe Julian Çela Ekonomist. Sigurisht si në çdo kompani ekonomisti është një njeri i aftë dhe i besuar i pronarit por në këtë rast situate është pak më ndryshe. Meqënësë Lorenc Bami përveç se u kujdes që Gjolek Shehu te lidhte një kontratë qeraje me Bashkinë Tepelene, brenda 2 javëve nga themelimi I kompanisë, u kujdes dhe ti miratonte në kohë record lejen e ndërtimit. Madje në një kohë record, u kujdes që ti jepte edhe djalin e dajës së tij, shtetasin Julian Çela si ekonomist, që tja mbante mire llogarite pasi në Tepelenë mungojnë të tillë.
Në shkurt të vitit 2024 me propozimin e Tërmet Peçit, mbi relacionin e Lorenc Bamit, Këshilli Bashkiak Tepelenë miraton një tjetër kontratë për dhënie me qera të disa pronave të tjera publike për shoqërinë IUMENTIS. Por lidhja mes tyre nuk mbetet thjeshte te miratimi i lejeve, pronave dhe projektet në Bashkinë Tepelenë. Pas largimit si aksionere nga shoqëria NG STRUCTURES, Aleksandra Bami themelon një tjetër kompani. Artreum Generation themelohet në ditën kur shiti aksionet e tjera, në 01.05.2019, me ortak themelues Mateo Shehu i biri I Gjolek Shehu pronarit të IUMENTIS dhe Aleksandra Bami. Secili zotëron në kompani 50% të aksioneve. Administrator fillimisht do të jetë Aleksandra Bami dhe Aldo Shehu.
Në shkurt të vitit 2020, kompania regjistron një adresë dytësore në vendin ku po ndërtohej Thertora Rajonale IUMENTIS, në rrugën Nacionale Tepelenë – Vlorë, pranë urës së Bënçës, një fakt që e lidh drejtpërdrejt me kompaninë IUMENTIS. Pra me pak fjale Lorenc Bami së bashku me Tërmet Peçin i japin kësaj kompanie tokë shtetërore më qëra, për 5 ditë i miratojnë lejë ndërtimi më pas e ndihmojnë të përfitojë 760.000 euro fonde nga AZHBR dhe në fund themelojnë kompani për të bërë ndërtimin e thertores.
Në vitin 2021, kompania IUMENTIS shënon një tjetër adresë dytësore në Memaliaj, duke fituar nënkontraktimin për një tender për ndërtimin e ujësjellësit rajonal për fshatrat Vasjar, Iliras, Qesarat, dhe Ane Vjosë. Kjo adresë hapet pasi siç është denoncuar dhe më parë nga Albana Voksi kompania ka marrë nënkontraktimin e tenderit për Ujësjellësin Memaliaj.
Në datën 1 shtator 2022, Aleksandra Bami dhe Mateo Shehu kanë shitur 100% të aksioneve të kompanisë IUMENTIS te Lorenc Bami për një vlerë prej 1000 eurosh, megjithëse kompania ishte fitimprurëse. Ky veprim ka ngjallur dyshime të forta, pasi është e papranueshme që një kompani me pasuri dhe aktivitete fitimprurëse të shitet për një shumë kaq të ulët. Pas këtij veprimi, drejtori i Tërmet Peçit, ka vendosur të mos fshihet më pas gruas dhe miqve të tij, duke emëruar si administrator të kompanisë kushëririn e tij,ekonomistin e kompanisë IUMENTIS shtetasin Julian Çela. Tashmë Lorenc Bami drejton jo vetëm drejtorinë kryesore të bashkisë Tepelenë por i del koha për të drejtuar dhe një super biznes.
Motra mësuese a është ‘prestanome’ e Tërmet Peçit? Me agroturizëm dhe fonde nga AZHBR
Deri këtu ndoqëm se si Tërmet Peçi me krahun e tij të djathtë Lorenc Bami i firmosnin leje kompanive të tyre apo familjarëve, apo merrnin fonde publike, në vijim do tju tregojmë se të njëjtën skemë “publiçitari i Edi Ramës” e ka përdorur edhe me familjarët e tij të afërt. Në skenë do të dal edhe motra e Tërmet Peçit. Një mësuese, drejtoreshë shkolle e cila tashmë do të shndërrohet në investitore, përfituese e fondeve të AZHBR, përfituese e pronave publike madje edhe i ca parave të vogla po nga AZHBR, që bashkëshorti i saj të mbjellë ca pemë.
Në mars të vitit 2023, kompania Artreum Generation, regjistroi një tjetër adresë dytësore në Fshati Rexhinë, Njësia Administrative Kurvelesh, Bashkia Tepelenë, por për këtë lëvizje do flasim më pas.
Analiza e bilanceve të kompanisë fatktohet gjithashtu se ka deklaruar detyrime financiare në vlerën e 82.000.000 lekë (rreth 820.000 euro), të cilat nuk janë ndaj institucioneve bankare, por janë para të depozituara në kompani nga individë të tjerë, të cilat duhet të hetohen nga SPAK për të zbuluar burimin e këtyre fondeve.
Për të kuptuar më mirë shërbimin e Lorenc Bamit na shërben pikërisht adresa:
Zona Kadastrale 3177, Pasuria nr. 328/1, Fshati Rexhinë, Njësia Administrative Kurvelesh, Bashkia Tepelenë. Nuk dihet nëse kjo pronë është marrë për interesa të vetë Lorenc Bamit apo po ndërton ndonjë Agroturizëm për llogari të shefave, një tjetër përgjigje që mund ta jap SPAK. Plug investigoi se çfarë ka ndodhur me pronat publike të Bashkisë Tepelen në fshatin Rexhinë. Dhe këtu zbulojmë vendimi nr.22 datë 31.03.2022 i Këshillit BAshkiak Tepelenë.
VENDIM
Nr.22. datë 31. 03, 2022.
PËR ZHVILLIMIN E PRONËS NR. 1/7, ZONA KADASTRALE NR. 3177, ME ZHVILLUES subjektin “AGROTURIZEM REXHINI” SHPK me NIPT M19820502R; SI DHE AUTORIZIMIN E ZHVILLUESIT APO PËRFAQËSUESIT ME PROKURË NOTERIALE, TË APLIKOJË PËR PAJISJEN E OBJEKTIT/INVESTIMIT ME LEJET PËRKATËSE, NË PORTALIN “E-ALBANIA”
Sipas këtij vendimi midis Bashkisë Tepelenë dhe subjektit Agroturizëm Rexhini janë lidhur dy kontrata noteriale. Kontrata nr.1906, datë 10.12.2021dhe miratimin e kontratës së nën qirasë dhe Kontrata nr. 1974 rep., datë 21.12.2021. Më pas në datë 2 shkurt 2022 përpilohet Relacioni i Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit të Bashkisë Tepelenë që mban firmën e Lorenc Bamit në cilësin e titullarit. Më pas, vjen edhe miratmi me Vendimin Nr.22 i Këshillit BAshkiak Tepelenë. Çuditërisht ky vendim nuk ka të bashkëlidhur asnjë realcion dhe emri i Administratorit nuk bëhet publik, shkak ky që na bëri të investigojmë dhe më tej.
Shoqëria Agroturizëm Rexhini është themeluar në 17.12.2021 nga shtetasja Manjola Haska e cila është motra e Kryetarit publiçitar Tërmet Peçi, I cili fillimisht ka lidhur një kontratë qeraje në datën 10.12.2021 me të motrën pasi kompania ende nuk ishte themeluar dhe 3 ditë pas themelimit, për ti shpëtuar ndoshta në mëndjen e tij PUBLIÇITARE hetimit penal firmos kontratë nën qeraje me kompaninë e të motrës. Sigurisht qe dhe leja e ndërtimit mban po firmën e Tërmetit. Por nuk mjaftohet me kaq, në shkurt të vitit 2023 Termeti vendos të kaloj në Këshillin Bashkiak, vendim në të cilin miratoi prioritetet e Bashkisë Tepelenë bazuar në Marrëveshjen e Këshillit të Ministrave dhe BE për fondet IPARD. E sigurisht për Tërmetin ndërtimi i Rrugës për në fshatin Rexhinë ku sapo kishte dhënë tokën shtet të motrës, ishte prioritet.
Por ndihma për motrën e Tërmetit do të vinte dhe nga AZHBR duke miratuar fonde IPARD për këtë Agroturizëm. Sipas të dhënave publike AZHBR dhe Manjola Haska kanë firmosur kontratën për përfitimin e fondeve IPARD për ndërtimin e shtëpizave të drurin të fshatin Rexhinë. Kontrata ka një afat 05.04.2023 deri në 06.10.2023 dhe vlera e investimit është 346.000 euro dhe granti që ka përfituar nga IPARD është në vlerën 225.000 euro. Pra Manjola Haska me profesion mësuesë dhe që prej vitesh shkollën në Tepelenë, paska shumë kohë të lirë dhe i kërkon të vëllait që ti jap tokë me qëra dhe leje për të ndërtuar Agroturizëm. Por meqënëse motra nuk kishte para Tërmeti e ndihmoi që të merrte nga AZHBR dhe 225.000 euro. Znj. Haska nuk është një personazh i panjohur për publikun, pasi në shkollën ku jepte mësim i ëhstë dashur të prononcohet për mediat, e madje të mbrojë edhe mësuesit që janë akuzuar për ngacmime seksuale.
Por fonde nga AZHBR ka përfituar edhe Spartak Haska, bashkëshorti i Manjola Haskës. Sipas publikimit në faqen zyrtare të AZHBR, kunati i Tërmet Peçit ka përfituar 15.000 euro. Pra ky fakt konfirmon edhe njëherë fuqinë e Tërmet Peçit në institucionet qëndrore për të marrë fonde nga IPARD e AZHBR, fonde të cilat janë bllokuar nga BE, piëkrisht për këto abuzime, e që pasojën e vuan mijra fermerë shqiptarë.
Por le të rikthehemi te kompania Agroturizëm Rexhini. Për vitin 2021-2022 kompania nuk deklaron asnjë shpenzim dhe asnje të ardhur. Në përfundim të kontratës më AZHBR, Manjola Haska shet 66% të aksioneve te shtetasja Afërdita Resuli në vlerën 660 euro. Afërdita Resuli është bashkëshortja e pronarit të kompanisë Resuli Er, pëfitues i dhjetra miliona euro kontrata publike. Veprim ky pa asnjë llogjikë ekonomike pasi kjo shoqëri tashmë kishte marrë të gjitha fondet e nevojshme për investimin nga IPARD. Në dhjetor të vitit 2023 kompania vendos të regjistrojë adresën sekondare: Kurvelesh, fshati Rexhine, pasuria nr. 1/7, zk 3177. Veprim ky në kundërshtim me të gjitha dispozitat ligjore pasi do të duhej ta kishte deklaruar që kur lidhi kontratën me Bashkinë Tepelenë siç do duhej që në bilanc të pasqyrohej shpenzimi për pagesën e qerasë. Në bilancin e vitit 2023 përftohen të dhëna interesante për këtë subjekt. Deklarohen si shpenzime të shtyra pagesa e bërë për Bashkinë Tepelenë në vlerën 114.000 lekë me përshkrimin: “Perfaqeson nje pagese per pallatin qe po ndertohet, keto pagese do te njihet si shpenzim ne momentin qe do te filloje shitja e ambjenteve”. Nuk dihet nëse është lapsus por ndërtimi sipas AZHBR do ishin vileta druri.
Në zërin detyrime afatgjata deklarojnë vlerën 47.000.000 lekë si ndihmë në para i ortakëve: Manjola Haska 7.300.000 lekë dhe Afërdita Resuli 39.900.000 lekë. Po këtu pasqyrohet dhe një pjesë e pagesës së përfituar nga AZHBR në vlerën 54.000 euro. Nuk dihet se ku i gjeti 73.000 euro Manjola Haska por besojmë që SPAK këtë herë do vendos të hetojë dhe të ndjek paratë.
Pra Tërmeti ka plotësisht të drejtë kur i premton Edi Ramës se do e bëj tërmet në Bashkinë Tepelenë dhe Qarkun e Gjirokastrës. Jo vetëm 18 milionë euro të marra nëpërmjet kompanisë së drejtorit, por edhe 66 milionë euro tendera me kompani të tjera, ku pjesa takuese ka përfunduar në Tepelenë. Sikur të mosmjaftonin këto, duart duhet të futeshin edhe tek fondet e AZHBR dhe IPARD, duke marrë për vete pratë që duhet ti jepeshin fermerëve shqiptarë. Abuzime të cilat, sollën bllokimin e fondeve nga BE. Nëse SPAK do të tregojë se e ka seriozisht atë historinë e Task-Forcës zgjedhore apo detyrën funksionale të hetimit të korrupsionit, ky është një nga rastet që mund të na e faktojë. Deri Atëherë, Natën e Mirë!